E moshura: Nusja nuk duhet parë si shërbëtore e familjes
Pensionistja Verdiana Nako ishte e ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, ku u diskutua mbi emancipimin, jetesën moderne dhe ndryshimet që kanë ndodhur mes brezave ndër vite.
Gjatë bisedës në studio, e moshuara foli hapur për mentalitetin patriarkal në shoqëri dhe mënyrën se si trajtohen ende nuset në shumë familje shqiptare.
“Jemi një çikë patriarkal dhe kemi ca mendime shumë të gabuara. Në qoftë se martohet djali me nusen, në shtëpi më vete. Pleqtë të rrinë më vete”, u shpreh ajo.
Nako theksoi se kujdesi ndaj të moshuarve nuk duhet të bjerë vetëm mbi nusen, por të jetë përgjegjësi e përbashkët e familjes dhe institucioneve.
“Kur të sëmuren, sa fëmijë janë të kontribuojnë, t’u vënë një shërbëtore te koka, ose shteti t’i bëjë ato banesat siç i ka gjithë bota. Përse duhet të rrijë nusja, të dali nga puna t’i bëjë hyzmet vjehrrës? Se çfarë, për shërbëtore e merr nusen djali? Unë s’jam dakord me këto gjëra”, deklaroi ajo.
Në fund të reagimit të saj, pensionistja u shpreh pro ndryshimeve sociale dhe përshtatjes me kohën moderne.
