“Europa është vetëm”/ Ish-kreu i BQE-së: Rrezikon të mbetet pas SHBA-së dhe Kinës në ekonomi, teknologji dhe siguri
Mario Draghi ka mbajtur një fjalim në Aachen, ku ka folur për sfidat aktuale që po përballet Europa, duke e përshkruar situatën si një moment vendimtar për të ardhmen e kontinentit.
Ai ka thënë se bota ka ndryshuar dhe Europa nuk mund të mbështetet më te kushtet dhe ekuilibrat e mëparshëm që i garantonin stabilitet dhe zhvillim ekonomik.
Sipas tij, konteksti global është bërë më i vështirë, më i ndarë dhe më i fokusuar te interesat ekonomike dhe politike.
Draghi ka përmendur edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Europa nuk duhet ta marrë më si të sigurt mbështetjen e tyre në çështjet e sigurisë si dikur. Po ashtu ka kritikuar edhe Kinën për ndikimin e saj në tregjet globale dhe për mbështetjen ndaj Rusisë.
Ai ka identifikuar tre probleme kryesore për Europën, varësinë nga tregjet e jashtme, varësitë strategjike në energji dhe teknologji, si dhe prapambetjen në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Sipas tij, Europa po investon më pak se rivalët e saj në fusha të rëndësishme si infrastruktura digjitale dhe qendrat e të dhënave.
Në fjalimin e tij, Draghi ka kërkuar një bashkëpunim më të fortë mes vendeve europiane, duke thënë se vendimet e rëndësishme nuk mund të merren më me të njëjtat struktura të ngadalta si më parë.
Ai ka propozuar një mënyrë më fleksibël bashkëpunimi mes shteteve, sidomos në mbrojtje dhe teknologji.
Sipas tij, asnjë vend europian nuk mund të mbrohet i vetëm dhe nevojitet një forcim i përbashkët i kapaciteteve të mbrojtjes. Ai ka shtuar se ndryshimet në politikën amerikane duhet të shihen edhe si një shtysë për Europën që të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.
Në fund të fjalimit, Draghi ka thënë se Europa duhet të veprojë më shpejt dhe të marrë vendime më të qarta, pasi vonesat në proceset institucionale po e pengojnë përballimin e sfidave të reja globale.

