Shkëmbim gjigant të burgosurish mes Rusisë dhe Ukrainës/ Po përgatitet marrëveshja 1.000 për 1.000

Rusia dhe Ukraina po përgatiten për një shkëmbim të madh të të burgosurve të luftës, ndërsa po punohet për përpilimin dhe koordinimin e listave nga të dyja palët.

Nga pala ruse është bërë e ditur se procesi i përgatitjes së listave është në zhvillim dhe po ecën shpejt, edhe pse konsiderohet pjesa më e vështirë e marrëveshjes.

Më herët, nga Kremlini është njoftuar se është rënë dakord për një nismë që lidhet me një armëpushim të mundshëm në fillim të majit dhe për shkëmbimin e të burgosurve në formatin 1.000 për 1.000 persona.

Po ashtu, autoritetet ruse kanë bërë të ditur se strukturat përkatëse nga Rusia dhe Ukraina po punojnë intensivisht për listat dhe se shkëmbimi mund të nisë sapo të finalizohen marrëveshjet.

Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës ka bërë të ditur se Kievi i ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara listat e të burgosurve ukrainas që pritet të përfshihen në shkëmbim.

Procesi shihet si një nga shkëmbimet më të mëdha të të burgosurve që nga fillimi i konfliktit mes dy vendeve.