“FIKET” KUBA / Pa karburant energjetik kombëtar, shpërthejnë protestat pas ndërprerjeve
Kuba po përballet me mungesë totale të naftës, duke e futur vendin në një krizë të rëndë energjetike. Ndërprerjet e gjata kanë shkaktuar protesta, ndërsa qeveria fajëson SHBA-të për situatën.
Kuba po kalon një nga krizat më të rënda energjetike të viteve të fundit, pasi ministri i Energjisë, Vicente de la O Levy, deklaroi se vendi ka mbetur plotësisht pa naftë për prodhimin e energjisë.
Në një intervistë për mediat shtetërore, ai tha se sistemi energjetik ndodhet në një gjendje kritike, ndërsa furnizimet me karburant janë reduktuar ndjeshëm.
Sipas autoriteteve kubaneze, aktualisht i vetmi burim energjie që vazhdon të funksionojë është gazi i nxjerrë nga puset vendase, ndërsa rezervat e tjera janë shteruar pothuajse totalisht.
Situata ka shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike, ku në disa zona të kryeqytetit Havana qytetarët përballen me mungesë energjie deri në 22 orë në ditë.
Kriza ka paralizuar një pjesë të madhe të jetës së përditshme në ishull.
Spitalet po hasin vështirësi serioze në funksionim, shkollat dhe zyrat shtetërore janë mbyllur përkohësisht, ndërsa sektori i turizmit, një nga burimet kryesore të ekonomisë është goditur rëndë.
Në rrugët e Havanës shpërthyen protestat. Qindra qytetarë dolën në rrugë, bllokuan akset kryesore me mbeturina të djegura dhe brohoritën slogane kundër qeverisë.
Banorët kërkojnë rikthimin e energjisë elektrike, ndërsa mediat ndërkombëtare e cilësuan këtë si një nga protestat më të mëdha që prej fillimit të krizës energjetike në janar.
Presidenti, Miguel Diaz-Canel, fajësoi Shtetet e Bashkuara për situatën, duke akuzuar Uashingtonin për një bllokadë energjetike që sipas tij po pengon furnizimin me karburant.
Ndërkohë, SHBA përsëriti ofertën për ndihmë humanitare prej 100 milionë dollarësh, me kushtin e zbatimit të reformave politike në sistemin komunist atje.
Kuba tradicionalisht është furnizuar me naftë nga Venezuela dhe Meksika, por furnizimet janë reduktuar ndjeshëm pas presioneve dhe sanksioneve të administratës amerikane.
