PUTIN TESTON RAKETËN BËRTHAMORE / “Sarmat” me rreze veprimi mbi 35 mijë kilometra

Rusia ka ndërmarrë gjatë natës një sulm të fuqishëm ndaj Kievit, duke përdorur dronë dhe raketa balistike, vetëm pak orë pas përfundimit të armëpushimit tre-ditor. Ndwrsa  ka publikuar pamje dhe video nga testimi i raketës së saj strategjike bërthamore “Sarmat”, duke shkaktuar shqetësim në vendet perëndimore për fuqinë e arsenalit të saj ushtarak.

Pas përfundimit të armëpushimit tre-ditor, Rusia ka vijuar me sulmet ndaj Ukrainës, duke goditur kryeqytetin Kiev me dronë dhe raketa balistike.

Sipas mediave ukrainase dhe autoriteteve lokale, gjatë natës në qytet u dëgjuan shpërthime të shumta, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan për të neutralizuar objektivat që hynin në hapësirën ajrore të kryeqytetit.

Sulmet shkaktuan dëme të konsiderueshme në disa zona periferike të Kievit, ku ndërtesa banimi dhe objekte të tjera u shembën si pasojë e goditjeve.

Autoritetet ukrainase konfirmuan se deri tani një person ka humbur jetën, ndërsa 16 të tjerë janë plagosur. Kreu i administratës ushtarake të qytetit, Timur Tkachenko, deklaroi se shumica e të plagosurve janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa dy persona morën ndihmë në vendngjarje.

Po ashtu rusia ka publikuar pamje dhe video nga testimi i raketës së saj strategjike bërthamore “Sarmat”, duke shkaktuar shqetësim në vendet perëndimore për fuqinë e arsenalit të saj ushtarak.

“Sarmat” është zhvilluar për të zëvendësuar raketën e epokës sovjetike “Voevoda” dhe, sipas autoriteteve ruse, ajo e tejkalon paraardhësen e saj në rrezen e veprimit, peshën e ngarkesës dhe parametrat teknikë.

Komandanti i Forcave Strategjike të Raketave, kolonel Sergei Karakayev, i raportoi presidentit Putin për përfundimin me sukses të testit gjatë një videokonference, ndërsa kreu i shtetit përgëzoi personelin ushtarak dhe deklaroi se sistemi pritet të hyjë në shërbim luftarak deri në fund të vitit.

Putin u shpreh se rrezja e veprimit të raketës “Sarmat” mund të kalojë 35 mijë kilometra dhe se ajo mund të pajiset me koka bërthamore. Ai shtoi se Rusia ka zhvilluar sisteme moderne raketore që nuk kanë ekuivalent në botë dhe që, sipas tij, garantojnë sigurinë strategjike të vendit për dekadat e ardhshme.

Sipas autoriteteve ruse, shqetësimi i vendeve perëndimore lidhet me faktin se “Sarmat” konsiderohet një nga raketat më të fuqishme, me rreze shumë të gjatë veprimi dhe të aftë të shmangë sistemet moderne të mbrojtjes raketore, duke rritur ndjeshëm kapacitetin strategjik të Rusisë.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit, mes paralajmërimeve se intensifikimi i sulmeve mund të rëndojë edhe më shumë krizën humanitare në Ukrainë.