'Shpërtheu' Norosvirusi në anijen franceze/ Hiqet pjesërisht izolimi, mbi 1,700 pasagjerë lejohen të zbresin

Autoritetet franceze kanë hequr pjesërisht izolimin shëndetësor për rreth 1,700 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi në një anije turistike që është ankoruar në portin e Bordosë.

Fillimisht u dyshua për një virus të rrezikshëm, por analizat treguan se bëhej fjalë për një shpërthim të thjeshtë gastroenteriti me origjinë virale dhe pa raste serioze.

Si pasojë, ndalimi i zbarkimit është hequr për pasagjerët që nuk kanë simptoma, ndërsa personat e sëmurë duhet të qëndrojnë të izoluar deri në përmirësimin e gjendjes.

Në bord ndodhen mbi 1,700 persona, përfshirë rreth 1,233 pasagjerë dhe 514 anëtarë ekuipazhi, shumica britanikë dhe irlandezë. Anija turistike “Ambition” kishte raportuar disa dhjetëra raste me simptoma si të vjella, diarre dhe dhimbje barku, ndërsa një pasagjer 92-vjeçar ka ndërruar jetë gjatë ndalesës në Brest.

Autoritetet shëndetësore franceze bënë të ditur se simptomat janë të ngjashme me norovirusin dhe nuk përjashtohet mundësia e helmimit nga ushqimi, por situata nuk paraqet rrezik të lartë.

Anija kishte nisur udhëtimin nga Ishujt Shetland më 6 maj dhe kishte ndaluar në disa qytete si Belfast, Liverpool dhe Brest përpara se të mbërrinte në Bordeaux. Udhëtimi i planifikuar drejt Spanjës dhe kthimi në Liverpool është ndërprerë, ndërsa disa aktivitete turistike janë anuluar dhe pasagjerëve të prekur u është ofruar rimbursim.