Moska fiton të drejtën të dërgojë trupa jashtë vendit për “mbrojtjen e qytetarëve”

Ligjvënësit në Rusi kanë miratuar një projektligj që i jep qeverisë në Moskë mundësinë të dërgojë trupa jashtë vendit me arsyetimin e mbrojtjes së qytetarëve rusë.

Sipas dokumentit, kjo përfshin raste kur ata përballen me arrestim, ndalim ose ndjekje ligjore në shtete të tjera.

Projektligji i jep autoritet më të gjerë Kremlinit për të ndërhyrë jashtë kufijve rusë në situata që lidhen me qytetarët e tij, duke u bazuar në vendime gjykatash të huaja që Moska nuk i njeh.

Kryetari i Dumës Shtetërore ka kritikuar sistemin juridik perëndimor, duke e cilësuar si të njëanshëm dhe shtypës ndaj atyre që nuk pajtohen me politikat e vendeve evropiane, ndërsa ka argumentuar se ligji është i nevojshëm për mbrojtjen e rusëve jashtë vendit.

Ky zhvillim shihet në vazhdën e retorikës së mëparshme të Moskës, e cila ka përdorur argumentin e mbrojtjes së qytetarëve rusë dhe rusishtfolësve edhe në veprime ushtarake si në Ukrainë dhe në Krime.

Disa përfaqësues të komitetit të mbrojtjes në parlamentin rus e kanë mbështetur ligjin, duke e lidhur atë me atë që e quajnë rritje të qëndrimeve kundër Rusisë në vendet perëndimore.

Vendimi ka ngjallur shqetësime në disa vende evropiane, ku shihet si një hap që mund të rrisë rrezikun e tensioneve dhe ndërhyrjeve të mundshme ushtarake në të ardhmen.