FOTO/ Vr*u dhe murosi Siborën në Spanjë, 48-vjeçari italian pranon për herë të parë krimin, detajet

Një 48-vjeçar italian, i identifikuar si Marco R., ka pranuar për herë të parë se vrau ish-partneren e tij shqiptare, Sibora Gagani, krim i ndodhur në vitin 2014 në Torremolinos të Spanjës.

Marco R., i cili më herët ishte dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Paulës, ish-partneres së tij dhe nënës së djalit të tij, kishte mohuar vazhdimisht përfshirjen në vdekjen e Siborës, duke pranuar vetëm se kishte fshehur trupin e saj në murin e banesës ku jetonin.

Sipas mediave spanjolle dhe dokumenteve të siguruara nga EFE, ai tashmë ka pranuar se e vrau 22-vjeçaren brenda apartamentit ku bashkëjetonin dhe më pas fshehu trupin në një mur të dyfishtë të ndërtuar prej tij.

Trupi i Siborës u zbulua nga Policia Kombëtare Spanjolle gjatë hetimeve të nisura pas arrestimit të italianit për vrasjen e Paulës. E reja shqiptare u gjet brenda një kutie druri, e mbuluar me gëlqere, ndërsa pranë saj ndodheshin një thikë me gjak dhe një buqetë me lule.

Sipas hetimeve, Marco R. dhe Sibora ishin njohur në vitin 2009 në Nettuno të Italisë, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe. Një vit më vonë, ata u transferuan në Spanjë dhe jetuan së bashku në Torremolinos.

Prokuroria spanjolle pretendon se gjatë javës nga 7 deri më 14 korrik 2014, italiani e sulmoi Siborën me thikë dhe i shkaktoi vdekjen pasi e goditi të paktën katër herë, tre prej tyre pas shpine.

Hetuesit dyshojnë se krimi ishte i paramenduar dhe i kryer në mënyrë të ftohtë, ngjashëm me rastin e vrasjes së Paulës. Ndërkohë, mbrojtja e të pandehurit kundërshton akuzën për paramendim, duke pretenduar se ngjarja nuk ishte e planifikuar.

FOTO/ Vr*u dhe murosi Siborën në Spanjë, 48-vjeçari