Integrimi, PD depoziton amendamendet në Kuvend: Të rritet kontrolli parlamentar mbi qeverinë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend amendamentet për projektrezolutën për Procesin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

PD thekson se ky moment në të cilin ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit, duhet të shërbejë si një mundësi për të forcuar institucionet, përfshirë funksionimin demokratik të Kuvendit.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dëshiron që Shqipëria të ecë drejt Bashkimit Evropian jo përmes propagandës boshe, por përmes standardeve të mirëfillta dhe institucioneve që funksionojnë në mënyrë demokratike, duke nisur nga institucioni që përbën thelbin e Republikës sonë – Kuvendi i Shqipërisë.”, thuhet në shkresën e PD drejtuar Kuvendit dhe Komisionit të Jashtëm.

Në amendamentet e propozuara, Kuvendit i kërkohet të ushtrojë në mënyrë më të plotë funksionin ligjbërës dhe kontrollues për procesin e integrimit, duke garantuar cilësinë e legjislacionit dhe përafrimin e tij me atë të BE-së.

PD kërkon që Kuvendi të forcojë kontrollin parlamentar ndaj qeverisë, sidomos për financat publike, prokurimet, koncesionet, fondet e BE-së dhe përdorimin e burimeve shtetërore, me synim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

PD kërkon gjithashtu që të garantohet pjesëmarrja e plotë e opozitës në jetën parlamentare dhe respektimi i të drejtave të saj në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si kusht për pluralizëm funksional dhe dialog politik.

PD ndalet gjithashtu edhe te lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke kërkuar mbështetje më të madhe për institucionet përkatëse dhe rezultate konkrete sipas rekomandimeve të BE-së.

PD propozon gjithashtu masa kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, si dhe nxitjen e dialogut gjithëpërfshirës politik e shoqëror për prioritetet europiane të vendit.