Parandalohet sulm i mundshëm në Hamburg/ Arrestohet 17-vjeçari sirian i dyshuar për plan t*rrorist ndaj turmës

Autoritetet në Hamburg kanë arrestuar një 17-vjeçar nga Siria, i dyshuar për planifikimin e një sulmi terrorist në emër të “Shtetit Islamik”.

Sipas Prokurorisë së Hamburgut, i mituri është ndaluar nga forcat speciale më 7 maj.

Hetimet dyshojnë se ai po përgatiste një sulm ndaj një turme njerëzish, duke përdorur një thikë ose një pajisje shpërthyese të improvizuar.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar disa sende që mund të përdoren për përgatitjen e sulmit, përfshirë pleh, lëng për çakmakë, një maskë dhe një thikë.

Ai akuzohet për përgatitje të një akti terrorist dhe për financim të terrorizmit. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu kontaktet dhe lëvizjet e tij të fundit.

Prokuroria ka kërkuar edhe një vlerësim psikiatrik për të arrestuarin, ndërsa hetimet po vijojnë.