Interi nuk ndalet, mposht Lazion me “tris”

Interi, i saposhpallur kampion në Serie A, ka shënuar një fitore bindëse 3-0 ndaj Lazios, duke zgjatur ecurinë e ndeshjeve pa humbje ndaj bardhekaltërve në nëntë takime radhazi.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë për zikaltrit, të cilët zhbllokuan rezultatin që në minutën e 6-të përmes Lautaro Martinez, i ndihmuar nga një asist i Marcus Thuram.

Pavarësisht rotacionit në formacione për shkak të finales së ardhshme të Kupës së Italisë, skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu kontrolloi lojën me lehtësi.

Në minutën e 39-të, Interi dyfishoi shifrat me Petar Sucic, i cili shënoi pas një aksioni të rrjedhshëm të nisur sërish nga Martinez. Situata për Lazion u vështirësua edhe më shumë në pjesën e dytë, kur Alessio Romagnoli u ndëshkua me karton të kuq pas rishikimit me VAR për një ndërhyrje të rëndë.

Edhe pse vendasit tentuan të reagonin me Isaksen dhe Noslin, mbrojtja zikaltër dhe portieri Josep Martinez mbetën të pathyeshëm.

Henrikh Mkhitaryan vulosi rezultatin përfundimtar në minutën e 76-të, duke shënuar golin e tretë për miqtë. Kjo fitore konfirmon formën e shkëlqyer të Interit përpara finales së të mërkurës, duke e çuar në nëntë numrin e ndeshjeve pa humbje në të gjitha kompeticionet. Lazio, nga ana tjetër, pësoi humbjen e dytë në 11 sfidat e fundit.