Sulmi kibernetik paralizon universitete dhe shkolla në mbarë SHBA-në
Një sulm kibernetik goditi sot disa universitete dhe shkolla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar kaos, konfuzion dhe ndërprerje të mëdha në kulmin e periudhës së provimeve dhe dorëzimit të detyrave të fundvitit akademik, raportoi BBC.
Grupi i hakerëve “ShinyHunters” raportohet se ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili nxori jashtë funksionit platformën akademike “Canvas”, e përdorur nga mijëra shkolla dhe universitete në të gjithë vendin.
Sulmet kibernetike prekën institucione arsimore në të gjithë SHBA-në, nga Kalifornia deri në Nju Jork.
Universiteti “Penn State” u dërgoi një mesazh studentëve duke bërë të ditur se “askush nuk kishte akses” në Canvas, ndërsa paralajmëroi se një zgjidhje nuk pritej të arrihej brenda 24 orëve të ardhshme.
Universiteti anuloi disa provime të planifikuara për të enjten dhe të premten.
Studentët në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA) hasën vështirësi në dorëzimin online të detyrave përmes platformës “Canvas”.
Ndërkohë, Universiteti i Çikagos në Illinois çaktivizoi përkohësisht faqen e tij në “Canvas” pasi raportoi se ishte objektiv i sulmit.
“The Chicago Maroon”, gazeta studentore e universitetit, publikoi një pamje të ekranit të një mesazhi që dyshohet se vinte nga “ShinyHunters”, ku kërkohej një shpërblim financiar.
Në mesazh, universiteti nxitej të kontaktonte privatisht grupin e hakerëve, për të negociuar një marrëveshje dhe për të shmangur publikimin e të dhënave.
“Pamjet e publikuara tregojnë se kërcënimet ndaj institucioneve kishin nisur që të dielën, me afate të vendosura për të enjten dhe 12 majin”, tha Luke Connolly, analist i kërcënimeve në kompaninë e sigurisë kibernetike “Emisoft”.
Sipas tij, negociatat për pagesat e mundshme të zhvatjes mund të jenë ende në zhvillim.
Sulmi ndodhi në të njëjtën ditë kur lideri demokrat në Senatin amerikan, Chuck Schumer, i dërgoi një letër administratës Trump,, duke kërkuar forcimin e mbrojtjes ndaj rreziqeve kibernetike, në epokën e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale.
“Departamenti i Sigurisë Kombëtare duhet të ndihmojë menjëherë shtetet dhe autoritetet lokale”, shkroi Schumer.

