EU4Municipalities II, Demo: 11 milionë euro grante dhe asistencë teknike për infrastrukturën lokale dhe digjitalizimin

Në qytetin e Durrësit u lançua zyrtarisht programi strategjik EU4Municipalities II, një nismë që synon forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Programi pritet të mbështesë bashkitë me investime konkrete, rritje të kapaciteteve institucionale dhe modernizim të shërbimeve për qytetarët.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, vlerësoi rëndësinë e projektit, duke theksuar se ai kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e administratës vendore.

“Në raundin e parë të këtij projekti Bashkia Berat, ka qenë përfituese dhe përmirësimi i shërbimeve arsimore në këtë bashki u bë falë këtij projekti. Ndaj nisja e fazën së dytë të këtij programi është me shumë rëndësi, sepse Shqipëria vijon rrugën drejt BE-së dhe kjo kërkon përmirësim të shërbimeve për qytetarët dhe forcim të kapaciteteve të bashkive”, u shpreh Demo.

Sipas tij, programi me një financim prej 11 milionë eurosh do të mbështesë bashkitë në tre drejtime kryesore: grante për investime në infrastrukturë lokale, asistencë teknike për rritjen e kapaciteteve në thithjen dhe menaxhimin e projekteve të BE-së, si dhe digjitalizimin e shërbimeve publike.

“Bashkitë e forta nënkuptojnë ekonomi lokale më të forta dhe përparim drejt Bashkimit Europian”, theksoi ministri Demo.

Sipas tij, duke iu referuar edhe vlerësimeve të përfaqësuesve të BE-së, rreth 70% e legjislacionit europian zbatohet në nivel vendor, çka e bën thelbësore përgatitjen dhe fuqizimin e bashkive në këtë proces.