Skandali i qumështit të kontaminuar/ Foshnjat në rrezik, AKU në heshtje
(Pa)siguria ushqimore nuk po kursen as foshnjat, ndërkohë që AKU vijon të jetë spektatore e kësaj situate duke mos marrë asnjë përgjegjësi.
Televizioni “Ora News” ka sjellë fakte se si prindërit janë lajmëruar me vonesë për ndërprerjen e përdorimit të qumështit “Aptamil”, i cili ka rezultuar i kontaminuar me toksinën e rrezikshme cereulide.
AKU ka njoftuar prindërit në datën 18.3.2026 se qumështi, i cili ka dalë me probleme, nuk duhet të përdoret për fëmijët dhe të kthehet menjëherë te pikat ku është blerë.
Ndërkohë, në mënyrë paradoksale, sipas përgjigjes zyrtare të AKU për “Ora News” rezulton se ky qumësht është asgjësuar që në datën 13 mars, pra pesë ditë para se të publikohej njoftimi.
E thënë më thjesht, institucioni ka pasur dijeni se qumështi po konsumohej nga foshnjat dhe jo vetëm që nuk ka njoftuar në kohë reale, por 5 ditë pasi sasia e tërhequr nga tregu është groposur.
Në lidhje me këtë situatë që kapërcen nivelet e skandalit, pasi bëhet fjalë për sigurinë ushqimore të fëmijëve, televizioni “Ora News” i kërkoi transparencë AKU-së.
Edhe pse kemi kërkuar informacion specifik për njoftimin e datës 18.3.2026, ky institucion shmang përgjigjet duke iu referuar rasteve të përgjithshme të muajit janar.
Sipas AKU-së, askush nuk mban përgjegjësi brenda institucionit për faktin që prindërit nuk u njoftuan në kohë që foshnjat e tyre po konsumonin një produkt të rrezikshëm.
Përgjigjja pa përgjigje që kemi nga ky institucion nuk është informuese, por mbrojtëse.
Kur datat nuk përputhen dhe përgjegjësia shpërndahet në ajër, lind një dyshim i fortë: a kemi të bëjmë me një gabim të izoluar, apo me një model sistematik shmangieje që del në sipërfaqe vetëm kur dikush kërkon llogari?
Në një çështje ku koha matet me rrezikun për jetën, çdo orë heshtjeje nuk është thjesht neglizhencë, është përgjegjësi që kërkon përgjigje.

