Tranzicioni i gjelbër/ 5 kompani do të përfitojnë fonde të BE-së me masa mbështetëse direkte

Të paktën pesë kompani lokale do të përfitojnë mbështetje direkte si pjesë e një thirrjeje të hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH).

Kjo iniciativë është pjesë e nismës europiane që synon të transformojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe startup-et në Ballkan përmes inovacionit të gjelbër dhe praktikave të qëndrueshme.

Projekti GREENSMES, i bashkëfinancuar nga programi IPA ADRION, ka një buxhet total prej 1.57 milionë euro, përfshirë 1.33 milionë euro nga fondet Interreg Së fundmi FSHZH njoftoi një thirrje për voucher-a ku kompanitë e interesuara mund të shprehin interes deri më 5 qershor.

Synimi i projektit është të rrisë konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare në tregun global përmes futjes së praktikave, teknologjive dhe produkteve që reduktojnë ndikimin mjedisor dhe përmirësojnë efikasitetin operativ. GREENSMES mbulon sektorët ku SME-të dhe startup-et mund të implementojnë masa të gjelbra për modernizimin dhe tranzicionin e qëndrueshëm.

Sipas shpalljes së fundit, projekti ofron mbështetje direkte për 5 kompani për të zbatuar “soft measures” (masa të buta), që përfshijnë optimizimin e proceseve, përdorimin e energjisë së rinovueshme, reduktimin e emetimeve dhe menaxhimin efikas të mbeturinave. Voucher-at sigurojnë gjithashtu akses në ekspertizë transnacionale dhe mentorim nga specialistë të fushës.

Projekti u mundëson kompanive të zhvillojnë produkte dhe shërbime të reja me ndikim më të ulët mbi mjedisin, duke i bërë ato më konkurruese në treg. Ai mbështet futjen e teknologjive në prodhim që reduktojnë konsumimin e energjisë dhe burimeve të tjera, përdorimin e energjisë së rinovueshme, reduktimin e emetimeve të gazrave të dëmshme, menaxhimin efikas të mbeturinave dhe aktivitete të tjera të ngjashme.

“Megjithëse rëndësia e inovacionit të gjelbër po rritet, përpjekjet për të promovuar ekonominë e gjelbër në rajonin e programit mbeten të fragmentuara dhe të kufizuara, dhe shumë SME nuk janë ende plotësisht të informuara mbi politikat, incentivat dhe mundësitë ekzistuese. Projekti GREENSMES adreson këtë boshllëk duke mbështetur modernizimin dhe tranzicionin e gjelbër të SME-ve, duke nxitur procese prodhimi më të gjelbra, produkte dhe shërbime të qëndrueshme, si dhe rritjen e efikasitetit dhe konkurrueshmërisë.

Nisma zbatohet nga partnerë projekti nga Italia, Greqia, Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në këtë kuadër, thirrja e hapur i drejtohet mikro, të voglave dhe të mesmeve në Shqipëri, duke i ftuar ato të angazhohen në aktivitete që mbështesin inovacionin e gjelbër dhe tranzicionin drejt praktikave më të qëndrueshme të biznesit.,” thuhet në dokumentet e shpalljes./Monitor.al