MENYJA/ Helmimi masiv i studentëve të Akademisë, një ngjarje e paralajmëruar nga “Ora News”

Rreth 55 studentë të Akademisë së Sigurisë  janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit.

Menjëherë pasi kanë konsumuar drekën, studentët kanë pasur te vjella dhe diarre, ndërsa disa prej tyre janë transportuar menjëherë drejt QSUT-së për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Burime për Ora News bëjnë me dije se vakti që kanë konsumuar ka qenë presh me mish dhe brokoli.

MENYJA/ Helmimi masiv i studentëve të Akademisë, një ngjarje
Në foto: Menyja e djeshme për tudentët e Akademisë

Kompania përgjegjëse për ushqimin është "Sori-Al" SHPK. Kjo kompani rezulton në regjistrat e biznesit në emër të Alma Tafanit, bashkëshortes së Nikolin Jakës. Burime policore bëjnë me dije se kanë shpallur në kërkim Administratoren e kompanisë Alma Tafani. Kjo ngjarje e rëndë që ndodhi sot është paralajmëruar më herët nga televizioni “Ora News”. 

Një investigim disa mujor i gazetares Alketa Çeku ka faktuar  mënyrën skandaloze  të shpërndarjes së ushqimit për të sëmurët në QSUT. Edhe pse me dokumente, kompania KPL që shpërndante ushqim ishte në emër të  shtetasit Ramazan Troka,  pas saj qëndronte Alma Tafani. Investigimi faktoi se furgonat që shpërndanin ushqimin rezultonin  te subjektit SORI-AL.  Mënyra se si shpërndahej ushqimi për të sëmurët ishte skandaloze.

Ne mungesë të mjetit që të shpërndarë  ushqimet punonjëset  e kompanisë shihen në oborrin e QSUT me qeset e ngjeshura me ushqim dhe me çadër ne dorë duke shkuar nga pavioni në pavion për t’i çuar supën të sëmurëve.

Televizioni Ora News  ka faktuar se mënyra e shpërndarjes së ushqimeve ka qenë tejet e rrezikshme, pasi shpesh ushqimi  qëndronte  në mëshirë të fatit te stolat e korridorit të spitalit.

 Paralajmërimet e vazhdueshme të “Ora News” për mënyrën skandaloze të trajtimit dhe shpërndarjes së ushqimit duket se  morën konfirmimin më të rëndë me helmimin e dhjetëra kursantëve të Akademisë së Sigurisë.

Kur denoncimet publike shpërfillen, pasojat nuk mbeten më thjesht skandal administrativ, por kthehen në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.