Arkivi i Filmit drejt 'shpëtimit' të kinemasë shqiptare/ Tanini tregon si po shpëtohen filmat shqiptarë përmes nismës “Adopto një film”

Drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini, ishte i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, ku foli për ecurinë e nismës “Adopto një film” dhe interesin në rritje për restaurimin e trashëgimisë kinematografike shqiptare.

Nisma u krijon mundësi qytetarëve dhe bizneseve të kontribuojnë në restaurimin digjital të filmave shqiptarë, shumë prej të cilëve ndodhen në gjendje të dëmtuar nga koha.

Sipas Taninit, projektit i janë bashkuar si donatorë të vegjël ashtu edhe mbështetës të mëdhenj.

“Ka pasur interes të madh për nismën. Ka njerëz që kanë dhënë shuma modeste, por edhe raste kur kontributi është bërë për të shpëtuar një film të tërë. Ideja është që secili të japë aq sa mundet dhe së bashku të ruajmë filmat shqiptarë.”-tha ai.

Një nga rastet që ka tërhequr vëmendje është ai i një biznesmeni shqiptar nga Kosova, me aktivitet në Afrikë, i cili ka marrë përsipër financimin e restaurimit të filmit “Shoku ynë Tili”.

“Një shqiptar nga Kosova me aktivitet në Afrikë ka shprehur gatishmëri të financojë plotësisht restaurimin e një filmi. Është një shembull që tregon se kjo nismë po shkon përtej kufijve dhe po kthehet në një mbështetje reale për arkivin.”-u shpreh Tanini.

Tanini u ndal edhe te rastet e tjera të restaurimit, ku përfshihen filma të njohur të kinemasë shqiptare si dhe materiale arkivore me vlera historike, përfshirë objekte të përdorura në xhirime.

Ai bëri të ditur se deri tani janë restauruar rreth 18 filma, ndërsa në listë janë edhe tituj të tjerë klasikë që pritet të kalojnë procesin e restaurimit në vijim.

Nisma “Adopto një film” po shihet si një formë bashkëpunimi mes institucioneve dhe publikut për ruajtjen e kujtesës së kinemasë shqiptare, duke e kthyer trashëgiminë filmike në një projekt të përbashkët.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: