Pse nuk u largua nga Laçi? Futbollisti Ledio Tresa zbardh prapaskenat e merkatos
Futbollisti i Laçit, Ledio Tresa, ka folur në 'Sport Focus' për sezonin e tij të fundit, ku skuadra u shpall kampione dhe ai kontribuoi me 7 gola.
Ai u ndal si te ndeshja vendimtare e titullit, ashtu edhe te zërat e merkatos që e lidhnin me një largim nga ekipi.
Tresa u shpreh se ndeshja që i siguroi titullin ishte një nga ato përballje që duhen shijuar deri në fund, pasi raste të tilla janë të rralla dhe vendimtare për një futbollist.
Ai shtoi se skuadra kishte vetëm një objektiv, fitoren, dhe ia doli ta realizonte.
“E dinim rëndësinë e asaj ndeshje. Ishte një nga ato që duhet ta shijosh çdo emocion, sepse janë shumë të rralla. Na duhej vetëm fitorja për të qenë kampionë.”- tha Tresa.
Sa i përket diskutimeve për transferim gjatë merkatos, Tresa sqaroi se ka pasur interes dhe biseda për një largim nga Laçi, por asgjë nuk është finalizuar.
Sipas tij, vendimi për të qëndruar është marrë bashkë me klubin, me qëllim për të mbyllur sezonin dhe për të ndihmuar ekipin.
“Nuk është se kam qenë afër një vendimi përfundimtar. Ka pasur diskutime në verë për një lëvizje, por me klubin vendosëm të qëndrojmë dhe të vazhdojmë deri në fund.”-shtoi ai.
Sezoni u mbyll me sukses për Laçin, që u shpall kampion, ndërsa Tresa e konsideron këtë si një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij deri tani.

