Uzuni rrëfen prapaskenat e merkatos: Isha pranë Trabzonsporit, gjithçka u prish për 10 minuta

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare Myrto Uzuni ka folur në një intervistë për FSHF TV, ku ka ndarë detaje interesante nga karriera e tij, forma aktuale në SHBA dhe prapaskena të merkatos së fundit.

Aktualisht, Uzuni po aktivizohet me Austin FC në Major League Soccer, ku ka nisur sezonin në mënyrë shumë të mirë me 4 gola dhe 1 asist në 10 ndeshje. Sulmuesi beratas tregon se ndihet më mirë se sezonin e kaluar dhe më i përshtatur me ambientin.

Një nga temat kryesore të intervistës ishte merkatoja e janarit, ku Uzuni zbuloi se ishte shumë pranë kalimit te Trabzonspori, ku luan Ernest Muçi.

“Ka qenë një ofertë shumë e mirë dhe gjithçka ishte thuajse e mbyllur. Trajneri më donte me çdo kusht, klubi ishte dakord dhe unë gjithashtu isha gati, por marrëveshja u prish për 10 minuta,” u shpreh ai.

Sipas tij, transferimi ishte aq i avancuar sa pritej vetëm finalizimi formal, por një ndryshim i papritur e ndali gjithçka. Ai shtoi se mund të kishte luajtur edhe me bashkëkombësin e tij Ernest Muçi në Turqi.

Duke folur për Kombëtaren shqiptare, Uzuni nuk i shmang emocionet e ndeshjeve të play-off-it, duke i cilësuar si të vështira dhe të rëndësishme për ekipin.

Ai theksoi se përfaqësimi i Shqipërisë është një përgjegjësi e madhe dhe se gjithmonë jep maksimumin, pavarësisht rolit në fushë.

I pyetur për përballjet me dy legjendat e futbollit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, Uzuni nuk hezitoi të zgjedhë idhullin e tij.

“Jam fans i Ronaldos, jam më tradicional në këtë drejtim. Messit nuk i kam kërkuar as fanellën,” tha ai me sinqeritet.

Uzuni pranoi se pritshmëritë në SHBA janë shumë të larta për lojtarët e huaj, veçanërisht kur vijnë me emër të madh.

“Në momentin që vjen si ‘yll’, të gjithë presin që të bësh gjëra si Messi apo Ronaldo. Ka qenë e vështirë në fillim, por tani e kam gjetur veten dhe ndihem mirë,” përfundoi sulmuesi shqiptar.