BRITANIA SYNON OLIMPIADËN 2040/ Qeveria analizon kostot dhe përfitimet për një ofertë olimpike
Qeveria e Mbretëria e Bashkuar po shqyrton mundësinë për të organizuar Lojërat Olimpike 2040. Diskutimet përfshijnë analiza mbi kostot dhe përfitimet ekonomike teksa synohet rikthimi i Lojërave për herë të parë në vend qysh nga organizimi në Londër 2012.
Qeveria britanike ka konfirmuar se është në diskutime për të mbështetur një ofertë të mundshme për organizimin e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike në vitet 2040.
Sipas Departmentit për Sportin, Kulturën dhe Median, puna fillestare do të përqendrohet në vlerësimin e faktorëve kyç si kostoja, përfitimet socio-ekonomike dhe shanset për sukses në një garë ndërkombëtare.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur po rritet interesi për rikthimin e Olimpiadës në Britani, ndërsa Sadiq Khan ka shprehur më herët dëshirën që Londra të kandidojë për edicionin e vitit 2040.
Ndërkohë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ende nuk ka përzgjedhur qytetet pritëse për vitet pas 2032, duke lënë hapësirë për kandidatura të reja.
Përveç Olimpiadës, qeveria po shqyrton edhe mbështetjen për organizimin e eventeve të tjera madhore si Ryder Cup dhe Solheim Cup në vitet 2030.
Këto iniciativa janë pjesë e një strategjie më të gjerë për ta bërë vendin një destinacion kryesor për ngjarje të mëdha sportive.
Autoritetet britanike po punojnë gjithashtu për përmirësimin e kuadrit ligjor, duke përfshirë masa kundër rishitjes së paautorizuar të biletave, me synimin për të mbrojtur tifozët dhe për të rritur besueshmërinë në organizimin e eventeve.
Me një kalendar të pasur sportiv në vitet e ardhshme, përfshirë UEFA Euro 2028, Britania kështu synon të forcojë pozicionin e saj në skenën ndërkombëtare sportive.
