Revolta e Wesley Sneijder-it: Do të doja të telefonoja UEFA-n për të anuluar ndeshjen

Ish-futbollisti holandez, Wesley Sneijder ka bërë deklarata të forta pas gjysmëfinales së kthimit në UEFA Champions League mes Arsenalit dhe Atlético Madridit, duke kritikuar ashpër nivelin e lojës dhe intensitetin e sfidës.

Sipas tij, ndeshja nuk ishte aspak në nivelin e një gjysmëfinaleje të Champions-it. “Do të doja të telefonoja UEFA-n pas 35 minutave për ta anuluar ndeshjen dhe për t’u thënë lojtarëve të largoheshin nga fusha, duke shpallur menjëherë një finale Bayernin kundër Paris Saint-Germain. Sinqerisht, ishte një ndeshje shumë e mërzitshme”, është shprehur ai.

Sneijder, i cili ka luajtur edhe me Real Madridin, ka analizuar më tej përballjen duke thënë se munguan elementet kryesore të futbollit elitar. “Nuk u ndie si një gjysmëfinale Champions-i. Mungoi intensiteti, kreativiteti dhe cilësia në fazën ofensive. Në finale, e kam të vështirë të imagjinoj që këto skuadra mund të vënë në vështirësi ekipe si PSG apo Bayerni. Nga ajo që pamë, do të ishte një fitore e lehtë për cilëndo prej tyre”.

Sipas ish-mesfushorit holandez, niveli aktual i disa skuadrave angleze dhe spanjolle është larg atij të gjigantëve europianë. Ai thekson se në këtë nivel pritet spektakël, emocione dhe futboll i klasit të lartë, por kjo ndeshje nuk i përmbushi pritshmëritë.

Në fund, Sneijder u ndal edhe te disa episode të diskutueshme të takimit, duke sugjeruar se Arsenali përfitoi nga gjykimi. “Arsenali duhet të jetë shumë i kënaqur me arbitrin. Kishte kontakte të qarta me Simeonen. Fakti që nuk ra nuk do të thotë se nuk ishte faull. Po ashtu kishte edhe një penallti ndaj Griezmann-it, që nuk u akordua. Për mua ishin penallti të pastra”, përfundoi ai.