Kriza te Real Madridi, mbi 4 milionë tifozë kërkojnë largimin e Mbappé-së
Situata te Real Madridi po bëhet gjithnjë e më e tensionuar dhe në qendër të stuhisë ndodhet ‘ylli’ francez, Kylian Mbappé. Një peticion i nisur nga tifozët ka kaluar shifrën e katër milionë firmave, duke kërkuar shitjen e sulmuesit pas një sërë polemikash që kanë tronditur klubin madrilen.
Sezoni i “Los Blancos” ka qenë larg pritshmërive. Pas shkarkimit të trajnerit Xabi Alonso që në janar, skuadra nuk ka arritur të rikthejë stabilitetin dhe aktualisht ndodhet shumë prapa rivalëve të përjetshëm (Barcelona) në garën për titullin në LaLiga. Në këtë klimë të ndezur, çdo veprim i lojtarëve analizohet në detaj.
Poilemika e fundit lidhet me një udhëtim të Mbappé-s në Sardenjë me partneren e tij, aktoren Ester Expósito, në një kohë kur ai ishte në fazë rikuperimi nga dëmtimi.
Edhe pse stafi i tij ka sqaruar se gjithçka ishte nën mbikëqyrje mjekësore dhe nuk ndikonte në përkushtimin e lojtarit, tifozët nuk e kanë pritur mirë këtë veprim, duke e konsideruar si mungesë respekti ndaj klubit.
Si të mos mjaftonte kjo, raportimet për një përplasje verbale gjatë stërvitjes me një anëtar të stafit teknik kanë shtuar më tej tensionin në dhomat e zhveshjes. Sipas burimeve, incidenti ka ndikuar negativisht në moralin e skuadrës.
Megjithatë, trajneri aktual Álvaro Arbeloa ka mbajtur një qëndrim të qetë, duke deklaruar se jeta private e lojtarëve nuk është çështje e tij. Por presioni nga jashtë vazhdon të rritet.
Me sezonin drejt fundit dhe titullin pothuajse të humbur, e ardhmja e Mbappé-s në Madrid duket më e pasigurt se kurrë. Nëse rezultatet nuk ndryshojnë, kjo krizë mund të thellohet edhe më shumë.

