Arteta: Arritje historike për Arsenalin, kjo skuadër më bën krenar!
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka reaguar me emocione të forta pas kualifikimit të skuadrës së tij në finalen e Champions League, duke e cilësuar këtë sukses si një moment historik për klubin londinez.
“Është një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur për klubin, lojtarët dhe tifozët. Sot kemi krijuar diçka të re. Kjo është vetëm hera e dytë që Arsenali arrin në finalen e Champions League dhe është diçka vërtet speciale. Jam krenar për këta djem”, u shpreh tekniku spanjoll në një prononcim për Sky Sport.
I pyetur mbi formacionin që do të zgjedhë për finalen, Arteta u tregua i rezervuar, duke theksuar se vendimet do të merren pas një analize të detajuar.
“Nuk e di ende. Duhet të analizojmë kundërshtarin dhe të vlerësojmë gjendjen e lojtarëve, si fizike ashtu edhe emocionale. Edhe sot ishte shumë e vështirë të vendosja formacionin, kam ndryshuar dhjetëra herë zgjedhjet në iPad dhe asnjë nuk më bindte plotësisht. Në fund, bëra atë që ndjeva se ishte e duhura. Fatmirësisht, çdo lojtar jep maksimumin, pavarësisht vendimeve të mia”, shtoi ai.
Në përfundim, Arteta ndaloi edhe te rëndësia e këtij sezoni për klubin, duke lënë të kuptohet se skuadra është gati të luftojë deri në fund për trofeun më të madh europian për klube.
“Është një sezon i veçantë. Unë besoj te lojtarët dhe te ajo që po ndërtojmë. Nuk e di nëse kjo do të na çojë te trofeu, por jemi aty. Gjithçka do të varet nga detajet, por ne jemi gjallë dhe gati. Do të japim gjithçka”, përfundoi trajneri.

