Lufta në Iran mund të ketë nxitur tentativën për atentat ndaj Trump gjatë Darkës së Korrespondentëve
Një raport i brendshëm i shërbimeve amerikane sugjeron se lufta në Iran mund të ketë ndikuar në veprimet e një burri të akuzuar për përpjekje për të sulmuar presidentin, Donald Trump, gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, rreth 10 ditë më parë.
Sipas dokumentit të përgatitur nga Zyra e Inteligjencës dhe Analizës pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i dyshuari, 31-vjeçari Cole Thomas Allen, kishte pakënaqësi të shumta me zhvillimet politike dhe sociale.
Në analizë përfshihen edhe postime të tij në rrjetet sociale, ku ai kritikonte rolin e SHBA-ve në Lindjen e Mesme.
Raporti arrin në përfundimin se situata në Iran mund të ketë ndikuar në vendimin e tij për të ndërmarrë sulmin. Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende një motiv të plotë dhe përfundimtar.
Në dosje përmendet edhe një email që Allen u kishte dërguar familjarëve natën e ngjarjes.
Mesazhi përshkruhet si një lloj manifesti, ku ai shpreh zemërim ndaj qeverisë dhe përmend synimin për të goditur një “tradhtar”, pa përmendur drejtpërdrejt emrin e Trump.
Sipas hetimeve, ai kishte qëndrime kundër politikave të ish-presidentit dhe kërkonte të reagonte ndaj vendimeve që i konsideronte të papranueshme.
Ndërkohë, FBI po vijon analizën e aktivitetit të tij online dhe komunikimeve në rrjetet sociale, në përpjekje për të kuptuar më qartë motivet dhe rrethanat e ngjarjes.

