Turizmi në Shqipëri jep sinjalet e para të ngadalësimit/ Muço: Çmimet e larta të karburantit, faktor ndikues

Sektori i turizmit në Shqipëri po jep shenjat e para të një ngadalësimi krahasuar me vitin e kaluar, në një kohë kur faktorë globalë po ndikojnë në lëvizjen e udhëtarëve dhe kostot e udhëtimeve.

Për të folur mbi situatën dhe pritshmëritë për sezonin veror, në një lidhje direkte për Ora News ishte eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

Ai shpjegon se në këtë fazë ka një rënie të lehtë të shifrave, por situata mund të ndryshojë gjatë muajve të verës, kur zakonisht arrihet edhe kulmi i turizmit në vend.

Sipas tij, ndikim të madh po kanë çmimet e larta të karburantit dhe pasiguritë në tregjet ndërkombëtare, që po e bëjnë më të vështirë lëvizjen dhe udhëtimin e turistëve.

Ai shton se situata nuk është vetëm lokale, por pjesë e një problemi më të gjerë që po prek shumë vende europiane.

Si shembull përmendet edhe vendimi i një kompanie të madhe ajrore gjermane për të anuluar rreth 20 mijë fluturime deri në tetor, gjë që tregon për vështirësi në gjithë industrinë e udhëtimeve.

Në këto kushte, sipas tij, rikthimi i stabilitetit në tregjet ndërkombëtare dhe ulja e tensioneve globale, përfshirë konfliktet në Lindjen e Mesme, do të ishte një faktor i rëndësishëm për normalizimin e situatës edhe në turizëm.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: