VIDEO/ Jaupaj: Ndryshimet klimatike kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe bashkëpunim rajonal

Ndryshimet klimatike nuk janë më një kërcënim i largët, por një realitet që po ndikon drejtpërdrejt ekonomitë, infrastrukturën dhe komunitetet, shpeshherë përtej kufijve kombëtarë. Kështu u shpreh ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, në kuadër të Konferencës Rajonale mbi Klimën që po zhvillohet në Tiranë.

Në një videomesazh drejtuar pjesëmarrësve, Jaupaj theksoi se është kënaqësi që Shqipëria mirëpret këtë konferencë të rëndësishme, e cila synon të kalojë nga angazhimet në veprime konkrete.

“Ndryshimet klimatike janë një sfidë globale që kërkon bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Ministri nënvizoi se konferenca synon forcimin e bashkëpunimit rajonal për përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, si dhe për lidhjen më të mirë të të dhënave klimatike me politikat dhe investimet.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përputhjes me Agjendën e Gjelbër të Bashkimit Evropian dhe rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimi Evropian.

Sipas Jaupajt, është thelbësore përshpejtimi i zgjidhjeve konkrete dhe zhbllokimi i financimeve për klimën, në mënyrë që të ndërtohet një e ardhme më rezistente ndaj sfidave mjedisore.

“Nisma që nis këtu duhet të vijojë përtej kësaj konference, përmes bashkëpunimit më të fortë, përgjegjësisë së përbashkët dhe ndikimit real në terren”, përfundoi ai.

Konferenca rajonale mbi klimën që po zhvillohet në Tiranë, ka mbledhur përfaqësues nga shumë vende të botës dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme, ku bashkëpunimi, inovacioni dhe politikat e gjelbra marrin vëmendjen që meritojnë për të mbrojtur mjedisin dhe brezat që vijnë.