WU YIZE KAMPION NË BILARDO/ Kinezi triumf vendimtar përballë Shaun Murphy-t

Wu Yize ka fituar Kompionatin Botëror të Bilardos pas një finale dramatike ndaj Shaun Mërfit. Ndeshja u vendos në frame-in e fundit me rezultatin 18-17. 22-vjeçari u bë kampioni i dytë më i ri në histori. Fitorja e tij konsiderohet si një moment që sinjalizon një epokë të re në snuker.

Në një nga finalet më emocionuese të viteve të fundit, Wu Yize shkroi historinë duke triumfuar në Kampionatin Botëror të Bilardos pas një përballjeje epike që zgjati deri në momentin vendimtar.

Me një “break” vendimtar prej 85 pikësh, ai arriti të mposhtë një rival me përvojë si Shaun Murphy dhe të ngjitet në majën e këtij sporti.

Finalja ishte një duel i fortë nervash dhe cilësie, ku të dy lojtarët shkëmbyen epërsi në mënyrë të vazhdueshme.

Murphy arriti të rikuperojë disa herë, duke barazuar në 14-14, 15-15 dhe më pas 16-16 me një “clearance” brilant prej 131 pikësh. Por Ëu reagoi me guxim, duke realizuar një tjetër seri të shkëlqyer dhe duke u afruar një hap larg titullit.

Momenti më dramatik erdhi kur wu, në avantazh 17-16, humbi një goditje të lehtë që mund t’i siguronte menjëherë fitoren.

Murphy përfitoi dhe e çoi ndeshjen në momentet vendimtar. Megjithatë, në çastin më të rëndësishëm, i riu kinez tregoi qetësi të jashtëzakonshme, duke realizuar një seri perfekte që vulosi triumfin e tij historik.

Historia personale e Wu-së e bën këtë sukses edhe më të veçantë. Ai u zhvendos në Angli në moshën 16-vjeçare për të ndjekur ëndrrën e tij, duke përballuar sakrifica të mëdha familjare.

Fitorja e tij jo vetëm që i jep Kinës një tjetër kampion bote, por edhe konfirmon një ndryshim të dukshëm në snuker, ku brezi i ri po merr drejtimin e sportit global.