DOMINIM MERCEDES NË FORMULA 1! Antonelli kryeson me tre fitore dhe 100 pikë në renditje
Sezoni 2026 në Formula 1 dominohet nga motorët Mercedes dhe paraqitja e fortë e Kimi Antonellit. McLaren rikthehet në garë, ndërsa Ferrari vijon të mbetet pas rivalëve.
Sezoni i vitit 2026 në Formula 1 po nxjerr në pah kontraste të forta mes skuadrave kryesore, ku dominimi i motorëve Mercedes dhe rikthimi në formë i McLaren po vendosin ritmin e kampionatit.
Një nga surprizat më të mëdha është piloti i ri italian Kimi Antonelli, i cili ka arritur tre fitore në tre gara dhe kryeson renditjen me 100 pikë, duke u shndërruar në një pretendent serioz për titullin botëror.
Gara e fundit në Çmimi i Madh i Miamit konfirmoi epërsinë e njësisë së fuqisë Mercedes, e cila aktualisht nuk duket të ketë rival në pistë. Performanca e saj ka ndikuar drejtpërdrejt edhe te skuadrat që e përdorin këtë motor, duke përfshirë McLaren, e cila ka shfaqur progres të dukshëm pas një periudhe zhvillimesh teknike gjatë pauzës së prillit.
Skuadra britanike ka prezantuar përmirësime të rëndësishme në pjesën e poshtme të makinës, duke rikonfiguruar sistemin e rrjedhës së ajrit. Kjo ka sjellë stabilitet më të madh në pjesën e pasme të njëvendëshes, duke u dhënë pilotëve Lando Norris dhe Oscar Piastri kontroll më të mirë dhe rezultate konkrete, si vendi i dytë dhe i tretë në Miami.
Në krahun tjetër, Scuderia Ferrari vijon të përballet me vështirësi. Pavarësisht përpjekjeve për përmirësim, përfshirë përdorimin e elementëve të rinj aerodinamikë, skuadra italiane nuk ka arritur të reduktojë diferencën me rivalët.
Problemet strategjike dhe mungesa e qëndrueshmërisë në garë mbeten shqetësuese. Piloti Charles Leclerc zhvilloi një garë të mirë në fillim në Miami, por një seri gabimesh e zbritën nga vendi i katërt në të tetin.
Megjithatë, sezoni mbetet i hapur dhe skuadrat kanë ende kohë për të reaguar, ndërsa rivaliteti në pistë pritet të intensifikohet në garat në vijim.

