ALBANIA PREMIER LEAGUE POOL/ Për herë të parë, më të mirët përballë njëri-tjetrit
Për herë të parë në Shqipëri u zhvillua Albania Premier League Pool. Kompeticioni i Bilardos vuri përballë më të mirët
Në datat 2–3 maj, në Baron Club Billiard & Snooker, u zhvillua për herë të parë në Shqipëri Albania Premier League Pool, një event që solli një format të ri dhe një nivel të lartë konkurrence mes lojtarëve më të mirë të vendit.
Gjatë dy ditëve të mbushura me emocione, ndeshje spektakolare dhe rivalitet të fortë, publiku pati mundësinë të shijojë pool-in në një tjetër dimension – më profesional, më dinamik dhe më të organizuar se kurrë më parë.
Në fund të këtij rrugëtimi, Eklent Kaçi konfirmon dominimin e tij duke u shpallur kampion i edicionit të parë të Albania Premier League.
Vendin e dytë e siguron Ernesto Gjon, me një performancë shumë të fortë gjatë gjithë turneut, ndërsa në vendet e treta renditen Kledio Kaçi dhe Niko Malaj, duke kompletuar një podium me nivel të lartë dhe meritë të plotë.
Ky event shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit të pool-it në Shqipëri dhe vendos themelet për një kompeticion që pritet të rritet edhe më shumë në vitet në vazhdim.
