Shqipëria fiton medalje ari dhe argjendi në Kampionatin Evropian të Fitness dhe Bodybuilding 2026

Ekipi Kombëtar i Fitness dhe Bodybuilding ka fituar 1 medalje ari dhe 1 medalje argjendi në Kampionatin Evropian 2026, i zhvilluar nga 29 prill deri më 3 maj në Santa Susana, Spanjë.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), njoftoi sot se, delegacioni kuqezi u paraqit me 5 sportistë, duke arritur rezultate të rëndësishme.

Sportisti Dion Haxhiaj u shpall kampion evropian, duke fituar medaljen e artë në kategorinë “Men’s Physique Junior” (–20 vjeç).

Ndërkohë, Edmond Met’hasani siguroi medaljen e argjendtë në “Men’s Classic Bodybuilding” (–180 cm), si dhe u rendit në vendin e katërt në “Men’s Games Classic Bodybuilding” (–180 cm) dhe në vendin e pestë në “Men’s Fit Bodybuilding” (+180 cm).

Rezultate të mira arriti edhe Bruno Nuho, i cili u rendit në vendin e pestë në “Men’s Classic Bodybuilding” (–171 cm) dhe në vendin e gjashtë në “Men’s Fit Bodybuilding” (+170 cm).

Ndërsa sportistët Armando Mancaku dhe Antonio Paloka konkurruan respektivisht në “Men’s Bodybuilding” (–75 kg, semi-pro) dhe “Men’s Physique” (–170 cm), por nuk arritën të kualifikohen në finalen e 6 më të mirëve.

Pjesëmarrja në këtë kampionat dëshmon për progresin e sporteve të fitness-it dhe bodybuilding-ut në vend, si dhe për përkushtimin e sportistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.