“Po shpopullohet fshati”/ Berisha: Subvencionet e fermerëve u hoqën në krizën më të rëndë të çmimeve
Në seancën e Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kritikuar qeverinë për politikat ndaj fermerëve dhe rritjen e kostove në bujqësi.
Ai ka thënë se në kushtet e rritjes së çmimeve, heqja e subvencioneve për naftën ka rënduar situatën e fermerëve dhe po i shtyn ata të largohen nga vendi dhe nga puna në bujqësi.
Sipas tij, kostot e larta të naftës e bëjnë të pamundur punën në tokë dhe shumë fermerë nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet.
Ai ka krahasuar mbështetjen për fermerët në Shqipëri me vendet e rajonit dhe disa shtete europiane, duke thënë se atje ka më shumë ndihmë financiare për bujqësinë.
Berisha ka përmendur edhe programin IPARD, duke pretenduar se fondet nuk janë menaxhuar si duhet dhe se fermerët shqiptarë kanë mbetur pa mbështetje financiare në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Në fund, ai ka kritikuar edhe mënyrën e përzgjedhjes së përfaqësuesve politikë dhe situatën në administratë, duke e quajtur të papranueshme gjendjen aktuale për fermerët dhe bujqësinë në vend.

