“Evolucion i dukshëm”/ Gorenca: Futbolli shqiptar po fiton respekt në nivel europian

Në emisionin “Ora Sport” në Ora News, e ftuar ishte eksperte e marketingut sportiv njëherësh dhe Drejtoreshë e Marketingut tek skuadra e Napoliti në Itali, Erinda Gorenca, e cila foli për zhvillimin e futbollit shqiptar dhe rritjen e vlerësimit të lojtarëve shqiptarë në kampionatet europiane, veçanërisht në Itali.

Gorenca u ndal te mënyra se si ka ndryshuar perceptimi për futbollin shqiptar në vitet e fundit, duke e konsideruar këtë një zhvillim të qëndrueshëm dhe jo më të rastësishëm.

“Ka pasur një evolucion të dukshëm në futbollin shqiptar në krahasim me vitet e mëparshme. Kjo vihet re edhe në nivel ndërkombëtar dhe është kthyer në një temë diskutimi në Itali.”-tha ajo.

Në vijim të bisedës, ajo foli për praninë e lojtarëve shqiptarë në Serie A, duke marrë si shembull klubin e Napolit, ku aktivizohen futbollistë me origjinë shqiptare në role të rëndësishme.

“Te Napoli kemi lojtarë si Amir Rrahmani dhe Elif Elmas që kanë rol shumë të rëndësishëm në skuadër. Rrahmani vlerësohet si një nga mbrojtësit më të rëndësishëm në nivel europian dhe kjo tregon qartë nivelin që kanë arritur lojtarët tanë.”-u shpreh Gorenca.

Sipas analizës së saj, prania dhe vlerësimi i lojtarëve shqiptarë në kampionatet e mëdha europiane është bërë tashmë një fakt i konsoliduar, duke treguar se futbolli shqiptar po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë dhe respekt në tregun ndërkombëtar.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË 'ORA SPORT' NË ORA NEWS: