Çfarë ndodhi në të vërtetë te Partizani? Gazetari zbulon prapaskenat e dorëheqjes së trajnerit
Në emisionin “Ora Sport”, gazetari Mantho Prokopi solli detaje mbi prapaskenat e largimit të trajnerit të Partizanit, një çështje që ka hapur debat në opinionin sportiv pas javëve vendimtare të kampionatit.
Sipas diskutimit në studio, situata ka nisur menjëherë pas derbit të humbur, në një moment kur Partizani ndodhej në garë të ngushtë me Dinamon për objektivat sezonalë.
“Pas derbit trajneri ka paraqitur dorëheqjen. Klubi nuk e ka pranuar në atë moment dhe ai ka vijuar punën normalisht, madje ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës.”-tha Prokopi.
Në analizë u theksua se vendimi për ndarjen nuk ishte i menjëhershëm dhe se për disa ditë palët kanë vazhduar komunikimin, ndërsa ekipi ka vijuar përgatitjet për sfidat e fundit të kampionatit.
“Dorëheqja është dhënë të hënën, është refuzuar fillimisht nga klubi, dhe më pas të enjten është komunikuar ndërprerja e bashkëpunimit. Pra kemi një proces që ka zgjatur disa ditë.”-shtoi ai.
Sipas diskutimeve në studio, largimi ka ardhur në një moment delikat të sezonit, duke hapur diskutime nëse vendimi ishte sportiv apo i lidhur me zhvillime të brendshme në klub.
Megjithatë, deri tani nuk ka një version zyrtar të detajuar për arsyet përfundimtare të ndarjes.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË 'ORA SPORT' NË ORA NEWS:

