TETOVA NDAHET ME EGNATIAN/ Enkelied Dobi “braktis” Teuten e Durrësit me dorëheqje

Dy trajnerë u larguan nga Superliga këtë fundjavë. Edlir Tetova u tërhoq nga drejtimi i Egnatia për arsye shëndetësore, ndërsa Enkelied Dobi dha dorëheqjen nga Teuta.

Lëvizje të rëndësishme në pankinat e Superliga Shqiptare.

Edlir Tetova është tërhequr zyrtarisht nga drejtimi i Egnatia, vendim që lidhet me gjendjen shëndetësore dhe stresin e përjetuar në periudhën e fundit, sipas njoftimit të klubit rrogozhinas. Egnatia e falënderoi trajnerin për kontributin dhe rezultatet e arritura, duke i uruar shëndet dhe suksese, ndërsa la të hapur mundësinë e një bashkëpunimi në të ardhmen.

Por Tetova nuk ishte i vetmi që u largua këtë të diel.

Enkelied Dobi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Teuta, siç bëri të ditur klubi durrsak përmes një deklarate zyrtare. Teuta shprehu mirënjohje për profesionalizmin dhe përkushtimin e Dobit gjatë drejtimit të skuadrës, duke i uruar njëkohësisht suksese në vijim të karrierës.

Nga ana e tij, Dobi falënderoi presidentin për besimin, stafin për bashkëpunimin dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa vlerësoi edhe angazhimin dhe profesionalizmin e futbollistëve gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit.

Për dy ndeshjet e mbetura të sezonit, drejtimi i ekipit do t’i besohet zëvendëstrajnerit Hodo, në bashkëpunim me pjesën tjetër të stafit teknik.