SHBA paralajmëron sërish kompanitë detare për Ngushticën e Hormuzit: Nëse i paguani tarifa Iranit do të sanksionoheni

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar kompanitë e transportit detar se mund të përballen me sanksione nëse paguajnë tarifa ndaj Iranit për kalim në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.

Zyra Amerikane e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) bën të ditur se pagesat ndaj institucioneve shtetërore iraniane janë të ndaluara për kompanitë amerikane.

Gjithashtu, edhe kompani jo-amerikane mund të përballen me masa ndëshkuese nëse përfshihen në këto pagesa.

Sipas autoriteteve amerikane, ndalimi nuk lidhet vetëm me pagesat në para, por edhe me forma të tjera si kriptovalutat, shkëmbimet joformale apo donacionet.

Tensionet në zonë kanë ndikuar edhe në trafikun detar. Raportohet se nga rreth 3,000 anije në muaj që kalonin më parë në këtë rrugë, tani numri është ulur ndjeshëm.

Irani ka thënë se po vendos tarifa për të siguruar kalimin e anijeve dhe se të ardhurat depozitohen në bankën qendrore. Ndërsa SHBA e konsideron këtë veprim pjesë të shmangies së sanksioneve dhe po vijon me kufizime ndaj sektorit të naftës dhe petrokimisë iraniane.