“Momenti i favorshëm për Kosovën”/ Gjinali: Turbulencat gjeopolitike mund të hapin rrugën për njohje të reja ndërkombëtare

Në një lidhje direkte për Ora News, politologu Ardit Gjinali thotë se situata e paqëndrueshme gjeopolitike mund të krijojë një mundësi të re për Kosovën në procesin e njohjeve ndërkombëtare.

Sipas tij, siguria globale po bëhet gjithnjë e më shumë faktor kryesor në vendimmarrjet politike, dhe kjo mund ta zhvendosë çështjen e Kosovës nga mosmarrëveshjet individuale me shtetet mosnjohëse në një vendim më të gjerë politik ndërkombëtar.

Ai shton se në këtë periudhë, njohja e Kosovës mund të shihet jo më si çështje dypalëshe, por si pjesë e arkitekturës së sigurisë dhe integrimit euroatlantik të rajonit.

Gjinali përmend edhe rëndësinë e bashkëpunimeve rajonale dhe rezolutave ndërkombëtare, të cilat sipas tij ndihmojnë në rihapjen e debatit për njohjet dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, ai vlerëson edhe marrëveshjet rajonale si ajo mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke i parë si element që rrisin bashkëpunimin dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Momenti i turbullt gjeopolitik mund të jetë një mundësi që njohja e Kosovës të mos shihet më si çështje mes shteteve veç e veç, por si vendim politik më i gjerë në kuadër të sigurisë dhe integrimit euroatlantik.

...

Integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO është pika ku bashkohen SHBA dhe BE, dhe kjo krijon hapësirë që çështja e Kosovës të marrë një trajtim më strategjik në këtë periudhë.”-tha ai.

Sipas analizës, integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor mbetet objektivi kryesor i aktorëve ndërkombëtarë, dhe kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në përshpejtimin e procesit të njohjeve për Kosovën.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: