Përparim Rama: Kurti nuk punon për shtet, lufton për pushtet!

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, fajëson kryeministrin Albin Kurti për krizën politike që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, duke e akuzuar se lufton për pushtet dhe jo për shtet. Kosova shkon në zgjedhje më 7 qershor pas dështimit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa analistët paralajmërojnë thellim të krizës politike dhe institucionale.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, fajëson kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për krizën politike që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri sipas afatit kushtetues.

Kryebashkiaku i kryeqytetit të Kosovës, i zgjedhur si përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se Kurti nuk kërkon të qeverisë, por, sipas tij, lufton për pushtet. Në këtë qëllim, lideri i Vetëvendosjes, sipas Përparim Ramës, nuk kursen as qytetarët.

Kosova do të mbajë më 7 qershor zgjedhje të parakohshme, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri, që do të pasonte në detyrë Vjosa Osmani.  Detyrën e ushtron aktualisht kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Këto do të jenë zgjedhjet e treta brenda rreth një viti e gjysmë, ndërsa analistët paralajmërojnë se mund të thellojnë krizën politike dhe institucionale.