“Si të bëj vetëm djalë?!” - Në Kosovë vijon ende miti i “trashëgimtarit”, nga bestytnië tek mungesat ligjore…

Kërkesa për të pasur fëmijë të një gjinie specifike, konkretisht djem vazhdojnë të vijnë dhe në ditët e sotme për specialisten e gjinekologjisë, Merita Demiri Demolli, e cila shprehet se gjithmonë tenton t’ua qartësojë prindërve se nuk ka metoda natyrale për përcaktim të gjinisë.

Këshillat janë të shumta e të larmishme: shiko kalendarin kinez, shpërlahu me sodë buke, ndërroje anën e mitrës, mbet shtatzënë në ditën e ovulimit, konsumo mish viçi dhe burri të pijë më shumë kafe…

 “Metodat që qarkullojnë si dieta të caktuara, pozicione gjatë marrëdhënieve apo “planifikimi” sipas ovulacionit, nuk kanë bazë të provuar shkencore”, është shprehur ndër të tjera Demolli.

 Ajo vë theksin se përcaktimi i gjinisë, e cila mund të bëhet shkencërisht përmes fertilizimit të asistuar mjekësor (IVF), kryhet  vetëm për arsye mjekësore e jo për “preferenca personale”.
 Megjithatë dëshira për të pasur djalë në familje, ka shtyrë shumë gra, të cilat e drejtojnë njëra-tjetrën edhe “tenekolog” specifik, emrin e të cilit shihet si “shtytësi” për historinë e lindjes së djemve pas shumë vajzave në familje.

Riza Malaj, gjinekologu të cilit i referohen nuk ishte i qasshëm për një koment mbi praktikat e tij për lindjen e gjinisë mashkullore.Shumica e grave të cilat kontaktojnë mbi interesimin për përcaktimin e gjinisë, shkruajnë në platforma online, duke ruajtur identitetin e tyre.

Në Kodin Penal të Kosovës nuk parashihet ndonjë “ndëshkim” specifik për vepra që ndërlidhen me praktikat e tilla, të cilat pretendojnë të përcaktojnë gjininë e fëmijës me metoda natyrale.

As në Ligjin për Shëndetësi nuk  përmenden këto  mënyra specifike për përcaktimin e gjinisë,kryesisht mashkullore.

Të vetmet kufizime ligjore lidhen me fertilizimin e asistuar mjekësor. Këtu kemi një udhëzim administrative, i cili ua ndalon klinikave shëndetësore përcaktimin gjinor gjatë procedurës së IVF-së.

Ministrinë e Shëndetësisë ende nuk ka dhënë një përgjigje mbi monitorimin e punës së gjinekologëve, kur konstatohen shkelje ligjore nga bluzat e bardha.

Besarta Breznica, aktiviste për të drejtat e grave nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK), u ka bërë thirrje institucioneve për një  kontroll më të rreptë të klinikave shëndetësore.

“Kjo është e gjitha shpëlarje e trurit të personave dhe vjedhje legale, nëse jo ilegale”, tha Breznica .

Gjineklogia Demiri Demolli u shpreh se presioni për të pasur fëmijë të një gjinie të caktuar, ndikon ndjeshëm në shëndetin emocional, fizik dhe psikologjik të gruas.

Nga ana tjetër, aktivistja Besarta Breznica vuri theksin se pasojat e kësaj përzgjedhjeje të gjinisë, i vuan jo vetëm nëna por edhe fëmija.

“Nëse rritesh si një çikë në një familje ku jeni ndoshta tetë motra dhe prapë është dëshira për të pasur patjetër një djalë… domosdoshmërisht ato ndihen sikur nuk kanë rëndësi dhe vlerë, si sekondare”, u shpreh ndër të tjera ajo.

“Si të bëj vetëm djalë?!” - Në Kosovë

Sipas Breznicës, fenomeni për të pasur një trashëgimatar vazhdon të kultivohet edhe te gjeneratat e reja dhe pse buron nga mendësi më tradicionale.
Pasja e një djali në familje lidhet me vazhdimsinë e linjës së gjakut, me, trashëgimtarin e mbiemrit, përkujdesësit për prindërit në pleqëri…

Vajzat nga ana tjetër shihen  jo në rolin e trashëgimtares në familje, pas martesës pritet që ato të marrin mbiemrin e bashkëshortëve dhe të nisin jetën e re në shtëpinë e burrit.

Gjithashtu, pronat familjare kryesisht u trashëgohen djemve të familjes,  duke bërë që mbi tri të katërtat e pronave në Kosovë të jenë në emër të burrave.

“Gratë, fatkeqësisht, janë viktima të këtij sistemi”, u shpreh Breznica.

Në një hulumtim nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), në vitin 2016 ndër të tjera vihej re se 47 për qind e kosovarëve shpreheshin se një familjeje “i duhej një djalë”.

“Kjo dëshirë për të pasur një djalë vërehet në të gjitha rajonet, shtresat shoqërore dhe përkatësitë etnike në Kosovë”, thuhej në raport.

Dëshira për të pasur djem ka shtyrë familje të veprojnë edhe sipas disa bestytnive. Një nga më të përhapurat ishtë ajo e vënies së emrit  Shkurtë  “për tu shkurtuar lindja e vajzave”, duke e kthyer këtë emër një ndër më të përdorurit.

Përtej bestytnive dhe këshillave për “metoda natyrale”, përcaktimi i gjinisë në Kosovë është i ndaluar edhe në formën e vetme shkencore.

Ndalesa e përcaktimit të gjinisë së foshnjës parashihet edhe përmes Ligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor (IVF) – ligj i riparë nga Qeveria Kurti , që pritet të hidhet në Kuvend për votim më 1 tetor të këtij viti.

Megjithatë, më 28 prill, pasi nuk u arrit zgjedhja e një presidenti të ri, legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës u shpërnda dhe Kosova mbetet në prag të zgjedhjeve të parakohshme.

Ky ligj ishte diskutuar e hedhur në votim në Kuvend edhe në të kaluarën disa herë, por ka hasur kundërshti  nga disa deputetë që ishin pjesë e ” Lëvizjes Vetëvendosje” në pushtet.

Një nga pikat themelore të atij ligji mbetet  ndalimi i abortit  selektiv të embrioneve të gjinisë së caktuar  si dhe  zgjedhja e gjinisë së fëmijës përmes IVF-së. Përjashtim bëhet në rastet me sëmundje trashëguese të lidhura me gjininë.

Përtej miteve dhe boshllëqeve ligjore, mesazhi i bluzave të bardha mbetet i qartë.

“Gjinia nuk përcakton vlerën e një fëmije. Prioriteti duhet të jetë gjithmonë shëndeti i nënës dhe i foshnjës”, theksoi Demiri Demolli./REL

Në një shoqëri në zhvillim përcaktimi i një gjinie specifike nuk duhet të vazhdojë, shëndeti i fëmijës, i gruas duhet të jetë prioriteti thelbësor i saj, jo gjinia.