Afatet për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, KQZ: Ja kur partitë duhet të dorëzojnë emrat e kandidatëve

Prej kësaj të shtune në Kosovë ka nisur afati për regjistrimin e partive që do të jenë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi shprehet se subjektet duhet të dorëzojnë emrat e kandidatëve.

Për forcat politike afati për dokumentin e certifikimit do të jetë 10 maji dhe se shqyrtimi i dosjeve do të jetë vetëm për subjektet që nuk ishin të regjistruara në dhjetor përfshirë koalicionet dhe nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.

 Deri 12 maj do të jetë afati për listën e kandidatëve për deputetë që do të realizohet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar.

në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 28 dhjetorit, KQZ certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë, që përfaqësonin 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Megjithatë fushata duket se do të jetë tërësisht ndryshe.

Në terren si kundërshtare e Albin Kurtit është vendosur dhe Vjosa Osmani. Ish-presidentja prej ditësh u deklarua në krah të LDK, por pa u vendosur nëse do të jetë pjesë e listës së kandidatëve apo do të zbresë në fushatë jashtë garës për të marrë një mandat.

Një tjetër vendim do të duhet të merret për koalicionet e mundshme.

Prej shkurtit të vitit të shkuar partitë në Kosovë nuk po mundin të kapërcejnë krizën. Fillimisht deputetët dështuan të votonin qeverinë duke u pasuar me votime të reja në dhjetor.

Nga rezultati u arrit të gjendeshin votat për këshillin e ministrave por dështoi votimi për presidentin, ku Albin Kurti refuzoi emrin e Vjosa Osmanit ndërsa opozita nuk pranoi asnjë nga emrat e Vetëvendosjes.