VIDEO-SKANDALI NË BURG/ Reagon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve: Personat në video janë identifikuar! Kemi shtuar kontrollet
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas videos së publikuar nga gazetari Flamur Vezaj, ku disa të burgosur bënin festë në qeli dhe mbanin telefona, alkool e ‘mall’. Me anë të një deklarate, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofon se personat e shfaqur në video janë identifikuar dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Sipas deklaratës, menjëherë pas qarkullimit të videos ka nisur një hetim, ku përfshin të gjithë personat e identifikuar, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shprehet se gjatë kontrolleve në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar tre telefona celularë dhe poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video. Po ashtu Drejtoria e Burgjeve bën me dije se, ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht.
Deklaratë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
Në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale nga gazetari Flamur Vezaj, sqarojmë si vijon: Së pari, falënderojmë gazetarin për informacionin e bërë publik dhe inkurajojmë çdo qytetar apo gazetar të denoncojë çdo akt të paligjshëm apo shkelje që cenon sigurinë në institucionet penitenciare. Së dyti, sqarojmë se personat e shfaqur në video janë identifikuar nga strukturat tona dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Menjëherë pas qarkullimit të videos është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe kanë nisur procedurat për hetim të plotë. Hetimi përfshin të gjithë personat e identifikuar në video, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel. Paralelisht, strukturat e IEVP Durrës vijojnë kontrollet intensive me qëllim identifikimin e plotë të përgjegjësive dhe fillimin e çështjeve penale për personat e përfshirë.
Situata aktuale nuk është ajo që paraqitet në video.
Kontrollet janë intensifikuar dhe vijojnë në mënyrë të pandërprerë. Në vijim të kontrolleve të ushtruara gjatë muajit prill, gjatë ditës së sotme janë zhvilluar kontrolle të befasishme dhe të imtësishme në disa institucione. Në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar 3 telefona celularë. Poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video. Ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk toleron asnjë shkelje. Çdo rast trajtohet me masa konkrete, përgjegjësi individuale dhe ndjekje penale. Mesazhi është i qartë: siguria nuk negociohet. Çdo shkelje do të goditet pa kompromis dhe kontrolli në institucionet penitenciare do të vijojë të forcohet çdo ditë.
