VIDEO-SKANDALI/ “Hordheku” në qelitë e Durrësit dhe Drejtori i ri me dorë të lehtë për të burgosurit e botës së krimit
Një skandal është denoncuar nga gazetari i kronikës, Flamur Vezaj, ku shfaqen disa të dënuar në një burg të sigurisë së lartë duke festuar brenda një qelie.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është se, në pamjet e publikuara nga Vezaj, të burgosurit dyshohet se konsumojnë alkool dhe lëndë narkotike.
Po ashtu, vërehet se një pjesë e mirë e tyre kanë edhe aparate telefonike në duar, ndërsa nuk mungojnë as video-telefonatat me persona të tjerë.
Vezaj pretendon se në video shfaqen persona të rrezikshëm si Lulzim Berisha, Fehmi Mziu, Islam Kasa alias “Mitralozi”, si dhe të besuar të Kel Arapit, përveç disa të dënuarve të tjerë.

Sipas gazetarit, këto pamje dyshohet se vijnë nga burgu i Peqinit, ndërsa siç dhe ishte e pritshme do të vinte dhe reagimi i autoriteteve, të cilat do të sqaronin se ku ka ndodhur kjo festë brenda qelive të burgut.
Dhe sipas Drejtorisë së Përgjithshme videoja ka qenë më herët në vëmendjen e tyre dhe dyshohet se është filmuar në qelitë e Burgut të Durrësit. Për këtë rast, ndaj zinxhirit komandues të institucionit kanë nisur verifikimet.
Po ashtu, në njoftim theksohet se personat e shfaqur në video janë identifikuar dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Dhe me këtë njoftim duket se Drejtori i ri i Burgjeve, Adriatik Kupi, që sot feston dhe 1 mujorin në krye të kësaj detyre, duket se është kujdesur të thotë se ngjarjet nuk kanë lidhje me periudhën e tij të drejtimit, por të paraardhësit të tij.

Dhe teksa mësohet se pamjet i përkasin periudhës janar-shkurt të këtij viti dhe që tregojnë qartë se Burgu i Durrësit, që duhej të ishte një institucion i sigurisë së lartë, ishte kthyer në “harem” për personat më të rrezikshëm në Shqipëri.
Dhe jo më kot kujtojmë se në janar do të shënohej dhe skandali që duket se hapi Kutinë e Pandorës, arratisja e bujshme me vrap e Altin Ndocit, i cili mbahej në qeli që prej muajit maj 2020 me urdhër të SPAK për vrasjen e 4 personave dhe i dyshuar si ushtar i grupit të Çopjave në Elbasan.
Dhe për ta bërë panoramën më të qartë nga janari dhe sot, kujtojmë që këtë të premte në mëngjes, në Burgun e Durrësit janë gjetur disa telefona celularë, të cilët “çuditërisht” i përkasin pikërisht personave që shfaqen në videon e publikuar në mbrëmje nga gazetari Flamuir Vezaj.
“Në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar 3 telefona celularë. Poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video. Ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht”, pohon Drejtoria e Burgjeve.

Dhe në këtë “mesele” deklaratash një gjë nuk sqarohet: nëse telefonat u gjetën dhe u sekuestruan sot në mëngjes, si u përhapën videot e regjistruara nga këto aparatura në darkë?
A janë këto video rrjedhje informacioni nga grupi operacional që realizoi aksionin në qelitë e Burgut të Durrësit, apo ato qarkullonin në qarqe të brendshme por që s’ishin bërë publike?
Dhe për të mësuar se kush, apo se si, dhe më ç’qëllim final u përhapën këto video, mbetet për t’u parë se çdo të prodhojnë hetimet që Drejtoria e Burgjeve thotë se ka nisur tashmë.
Kujtojmë se dy ditë më parë gazetari Elton Qyno solli në vëmevendje një tjetër panoramë problematike të situatës në burgje të krijuar që prej 1 prillit ditës kur u emërtua drejtori i ri Adriatik Kupi, fenomen të cilin e pohon edhe Drejtoria e Burgjeve në reagimin e shpejtë të mbrëmjes së sotme.
Bëhet fjalë për atë që po ndodh me transferimet e të burgosurve në këto javë të drejtimit nga Adriatik Kupi.
“Por teksa Drejtoria e Burgjeve, thuajse çdo javë “ushqen” mediat me njoftimet e suksesit të kontrolleve nëpër burgje, në anën tjetër emra të njohur të botës së krimit kanë arritur të fitojnë privilegje, që deri pak ditësh nuk mund ti merrnin dot.
Pas largimit të Drejtorit të Përgjithshëm, Klevis Qose dhe emërimit të drejtorit të ri të Burgjeve, Adriatik Kupi, është konstatuar një liberalizim i kushteve për disa nga emrat e njohur të botës së krimit.
Mësohet se me firmën e Adriatik Kupit, është urdhëruar ndryshimi i sigurisë për të dënuarin me 6 vite burgim, Ramazan Rraja.
Nga qëndrimi në një sektor të sigurisë së lartë, Ramazan Rraja, tashmë ka hyrë në një regjim burgu të sigurisë së zakonshme, duke përfituar benefite që tek regjimi i sigurisë së Lartë nuk mund ti përfitonte dot.
Po kështu, dora është lëshuar dhe me Lulzim Berishën (personazhi kryesor i shfaqur në videon e publikuar sot nga gazetari Flamur Vezaj), i cili është transferuar për një periudhë 7 ditore, nga burgu i sigurisë së lartë në Peqin tek dhoma speciale që ndodhet në ambientet e spitalit Infektiv në Durrës, nga e cila u arratis pak muaj më parë dhe Altin Ndoci.
Gjithashtu mësohet se pak ditë më parë është transferuar në burgun e Peqinit dhe Plaurent Dervishaj. Transferimi i tij është realizuar nga ambientet e burgut Nr.313 në Tiranë drejt Peqinit.
Njëherësh nga paraburgimi i sigurisë së lartë drejt burgut të sigurisë së zakonshme Fushë-Krujë, është zhvendosur dhe Durim Bami, një emër i njohur i botës së krimit në zonën e Fushë-Krujës.
Bamit më parë i ishte refuzuar kërkesa për transferim. Por pas ndryshimit të lidershipit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, më pas kërkesa e tij është miratuar, duke u çuar në “habitatin” e tij në burgun e Fushë-Krujës”, raportoi gazetari Elton Qyno në “Syri TV”.
Pra e gjithë kjo situatë e krijuar falë ndryshimit të lidershipit dhe emërimit të Adriatik Kupit, i denoncuar që në ditën e parë të tij të punës nga deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi si “ushtar” i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliajt, i cili për habinë e ndodhive edhe ai gjendet i izoluar në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

Në një kërkim të thjeshtë në profilin e Adriatik Kupit në “Facebook” sheh se pak muaj më parë ka bërë një urim për ditëlindjen e kryebashkiakut Veliaj.
Postim në të cilin e cilëson kryebashkiakun e akuzuar për disa vepra të rënda penale si një njeri të drejtë.
Këtu qëndron dhe paradoksi. Adriatik Kupi, njeriu që feston 1 mujorin si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve është një njeri që ka bërë fushatë për Erion Veliajn, ka marrë post nga Veliaj madje dhe është quajtur nga Kupi si një njeri me vlera dhe dinjitet.

Madje Kupi në urimin për kryetarin e tij, shkruan se drejtësia do të triumfojë. Drejtësi të cilën “kryetari” i Adriatik Kupit e shmang duket refuzuar të shkojë e të përballet në gjyq me akuzat ndaj tij, por vetëm gjen makinacione për shtyrjen e gjyqeve.

Pra njeriu që drejton edhe institucionin në të cilin ndodhet i burgosur Veliaj, që ka urdhëruar sot hetime, është një ish-vartës i tij, njeriu që dikur është shpërblyer nga kryebashkiaku me poste si dhe ka marrë pjesë në fushtatat e tij zgjedhore, por që sot është në burg me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale.
Pra cila drejtësi pret Adriatik Kupi të triumfojë për Erion Veliajn?
Por, ajo që ka më shumë rëndësi, a do mundet Kupi të sjellë në binarë burgjet e vendit me këtë lexim të drejtësisë që ai bën?!
Dhe deri sa Kupi të bëjë hetimet e tij dhe të çojë para drejtësisë që ai e dëshiron aq shumë personat që i kanë kthyer qelitë në bare me “5 yje”...
KËTO PAMJE MË POSHTË TË PUBLIKUARA NGA GAZETARI FLAMUR VEZAJ KËTË TË PREMTE JANË ALARMI PËR SIGURINË DHE SITUATËN NË BURGJET E VENDIT
NDIQNI DENONCIMIN E PLOTE TE GAZETARIT FLAMUR VEZAJ



