Ngjarje si në filma/ Dy të rinj vjedhin Land Rover-in dhe përfundojnë në pranga pas aksidentit në Palasë

Një ngjarje e pazakontë dhe e rrezikshme ka ndodhur në Dhërmi, ku brenda pak minutash ka ndodhur një aksident dhe arrestim. Mësohet se një 25-vjeçar nga qyteti i Durrësit dhe një vajzë e mitur 17 vjeçe kishin udhëtuar drejt jugut për të blerë një makinë tip "Land Rover" nga person me orgjinë nga Tirana. 

Por qëllimi i dyshes ishte grabitja e makinës, sapo pronari i mjetit u largua për një moment adoleshentja ka hypur në makinë dhe është larguar me shpejtësi. Menjëherë pas denoncimit, shërbimet e Policisë së Vlorës organizuan punën për lokalizimin e mjetit, por situata u përshkallëzua kur 17-vjeçarja refuzoi t’i bindej urdhrit për të ndaluar.

E reja ka bërë një seri manovrash të rrezikshme në aksin rrugor Dhërmi-Vlorë, duke rrezikuar jetën e shoferëve të tjerë. Gjatë manovrave, 17-vjeçarja ka humbur kontrollin dhe është përplasur në zonën e Palasës, ku si pasojë ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Pas përplasjes e mitura u ndalua, ndërsa bashkëpunëtori i saj 25-vjeçar u kap pak më vonë nga policia në lagjen "Kushtrimi" në Vlorë.