VIDEO/ Fisnik Syla, “bamirës” apo shantazhues?

Javën e shkuar, “Piranjat” sollën rastin e një gruaje të re nga Korça, e cila kishte rënë pre e mashtrimeve të Fisnik Sylës.

Syla ofronte “ndihmë” në këmbim parash, me pretendimin e investimeve në bitcoin.

Denoncimet ndaj tij vijojnë të shtohen, ndërsa skema e dyshuar e mashtrimit duket se përsëritet me të njëjtin mekanizëm: dërgo 300 euro, të jap 3000 – një premtim që kthehet në makth.

Vera, 35 vjeç nga Miloti, rrëfen se gjithçka nisi me një kërkesë të thjeshtë për ndihmë në rrjetet sociale.
Ajo i shkroi Sylës në TikTok, duke i treguar vështirësitë ekonomike. Sipas saj, përgjigjja ishte e menjëhershme dhe premtuese: 5000 euro ndihmë.

Por për të përfituar këtë shumë, asaj iu kërkua fillimisht të dërgonte 300 euro.

“Në hall, vendosëm bashkë me burrin t’i dërgonim. Ishin lekët e qirasë,” – tregon ajo, duke sjellë edhe provat e transfertës.

Ndryshe nga rastet e tjera, këtë herë përfshihet edhe një shtetas i huaj, me emrin “Nick James” në Belgjikë, në emër të të cilit kërkohet dërgesa e parave.

Por pasi shuma e parë dërgohet, kërkesa nuk ndalet.

Gruaja refuzon të paguajë sërish dhe aty nis presioni.

Kërcënime, publikim fotosh dhe terror psikologjik.

“Jam duke u çmendur. Kam frikë të dal nga shtëpia,” – shprehet ajo mes lotësh.

Madje, ajo pretendon se janë përdorur foto familjare të marra nga rrjetet sociale, ndërsa janë hapur llogari të rreme për ta denigruar publikisht.

Në një moment, 35-vjeçarja dorëzohet:

“Nuk jam në merak për lekët. Dua vetëm të mbyllet kjo histori dhe të zhduken fotot.”

Por edhe pas kësaj, presioni vazhdon me mesazhe të vazhdueshme dhe pretendime absurde për “bllokim sistemi” dhe miliona euro të ngecura në transaksione.

Gazetarët e “Piranjave” kontaktuan me Fisnik Sylën, por ai deklaroi se gjithçka është gënjeshtër dhe inteligjencë artificiale.