Muçi: Kur u kthye Edi Rama nga “Skënderbe” në “Hamza” për zonjën Spiropali?

Një debat i ndezur së fundmi brenda Partisë Socialiste, me protagonistë Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren Elisa Spiropali, ka rikthyer në vëmendje një fenomen të rrënjosur thellë në politikën shqiptare: modelin e “partisë-kryetar”.

I ftuar në studion e emisionit “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama, deputeti i “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi u shpreh se përtej figurave individuale, përplasjet e tilla shërbejnë si një pasqyrë e mungesës së demokracisë së brendshme dhe kultit të individit që dominon skenën politike prej më shumë se tre dekadash.

Modeli i “kryetarit-parti”, i ngjashëm me shprehjen e vjetër “po the Lenini, ke thënë partia”, është ndërtuar dhe konsoliduar në 35 vitet e fundit, duke u bërë tipar dominues jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për atë Socialiste.

Sipas Muçit, proceset e brendshme partiake, siç janë zgjedhjet për kryetar, shpesh kthehen në “parodi”, ku rezultati është i paracaktuar dhe vullneti i liderit është i pakundërshtueshëm.

Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës nuk bën përjashtim nga ky model. Veprimet e fundit të kryeministrit, si kërkesa për të marrë “mungesa” për deputetët që nuk marrin pjesë në votime apo gjuha e përdorur ndaj vartësve, shihen si dëshmi se partia funksionon tërësisht brenda kësaj logjike autoritare.

Në këtë kontekst, përplasja mes Ramës dhe Spiropalit ngre pikëpyetje thelbësore. Edhe pse figura si Elisa Spiropali dhe Erion Braçe nuk janë përfolur për afera korruptive, vlerësimi i tyre politik, sipas Muçit, duhet të kalojë përtej këtij fakti. Vlerësimi duhet të fokusohet tek integriteti i tyre politik, koherenca mes fjalëve dhe veprave, si dhe konsistenca në qëndrimet e mbajtura.

Pyetja kyçe që shtrohet është se për çfarë arsyesh thelbësore ndodhi kjo përplasje. “Kur u kthye Edi Rama nga Skënderbe në Hamza për zonjën Spiropali?” – është metafora që ai përdori për të ilustruar pikën ku besnikëria ndaj liderit vihet në dyshim.

Pavarësisht postimeve në rrjetet sociale ku flitet për nevojën e debatit mbi funksionimin e partisë, qeverisë apo shtetit, në praktikë nuk është vënë re që këto figura të kenë ngritur problematika konkrete mbi mënyrën e funksionimit të shtetit dhe qeverisë.

Në fund, kur vjen momenti i vendimmarrjes, siç është një votim në parlament, dinamika e brendshme partiake i kthen politikanët në “nxënës shkolle” që ndjekin pa kundërshti udhëzimet e liderit. Kjo tregon se përplasjet e bujshme mund të jenë më shumë stuhi në gotë sesa një sfidë reale ndaj modelit të betonizuar të “partisë-kryetar”.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN “DREJT” NË “ORA NEWS”