Ç’po ndodh në PS? Beqiri: Mungesa e transparencës mbi debatet e brendshme, shqetësuese
Qëndrimet e fundit kritike të figurave të rëndësishme të Partisë Socialiste, si deputetja Elisa Spiropali, të mbështetura hapur edhe nga ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe, kanë ndezur një debat të fortë mbi gjendjen e demokracisë së brendshme në partinë në pushtet.
Vërejtjet e tyre cilësohen nga politologu Evarist Beqiri si një "shërbim ndaj vendit dhe partisë", pavarësisht se vijnë me vonesë, duke u argumentuar se "më mirë të reagosh vonë se kurrë".
I ftuar në studion e emisionit “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama, Beqiri u shpreh se është perceptimi se brenda Partisë Socialiste gjërat shihen vetëm "bardh e zi", një qasje që konsiderohet nga analisti si "dramatike" dhe alarmante për demokracinë.
Sipas tij, ky vizion monolitik, ku nuk ka vend për ngjyra dhe nuanca, është i rrezikshëm jo vetëm për pluralizmin brenda partisë, por edhe për vetë të ardhmen e saj. Mungesa e transparencës mbi debatet e brendshme dhe artikulimi i një qëndrimi të vetëm zyrtar shihet si një simptomë shqetësuese.
Lidhur me këtë, Beqiri tha nëse partia vazhdon në këtë rrugë, duke shuar mendimin ndryshe, ajo është e "destinuar që gremina ta zërë brenda". Kjo arrogancë dhe ndjesi force, sipas tij, mund të jetë e përkohshme, pasi mungesa e debatit politik real gërryen themelet e çdo organizate.
PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN “DREJT” NË “ORA NEWS”

