Blanár: Parimi i meritës është kyç në anëtarësimin në BE
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Juraj Blanár, tha sot se integrimi i Ballkanit Perëndimor si rajon në Bashkimit Evropian, është një përparësi strategjike e bashkëpunimit Slavkov 3.
Gjatë një konference për mediet, pas takimit me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, së bashku me ministrat e Jashtëm të Austrisë dhe Kroacisë, Blanár, tha se integrimi është element kyç, për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të Evropës si një tërësi.
“Perspektiva evropiane e gjithë rajonit u përcaktua qartë në Samitin e Selanikut në 2003-shin. E dëgjuat mirë, ishte 2003-shi, tani jemi në 2026-ën. Në kontekstin e traditave aktuale gjeopolitike, nevoja urgjente dhe e ngutshme për zgjerimin evropian është më domosdoshmëri sot. E shohim si element kyç për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit. Është thelbësore për të njëjtën arsye për të ruajtur vëmendjen dhe për të kontribuar dhe riorientuar trazirat politike në një drejtim pozitiv. Rëndësia strategjike e rajonit, e integrimit të tij në BE, është theksuar dhe më tej nga trazirat aktuale gjeopolitike”, tha ai.
Blanar theksoi se e “shohim vizitën e S3 në Tiranë si një vizitë në kohën e duhur dhe një ndërhyrje mjaft dobishme me udhëheqjen e Republikës së Shqipërisë”.
Ministri sllovak, nënvizoi më tej se “qysh prej hapjes së bisedimeve për anëtarësim në korrik të 2022, Shqipëria ka shfaqur përparim domethënës në transformimin e shoqërisë në të gjitha nivelet dhe ka përmbushur me sukses kriteret e integrimit”.
“Ne besojmë se Shqipëria mund të shndërrohet një kampion në këtë fushë. Shqipëria mund, dhe nga këndvështrimi ynë, duhet të bëhet një vend që motivon shtetet e tjera kandidate. Është me rëndësi për të gjithë rajonin që të ketë sa më shumë shembuj pozitivë sa të jetë e mundur”, theksoi ai.
Ministri Blanár gjithashtu nënzioi nevojën për një fokus të veçantë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmbushjen e agjendës së bisedimeve të anëtarësimit.
“Ne rekomandojmë që të vendoset theksi thelbësor te shteti i së drejtës dhe tek agjenda e bisedimeve të anëtarësimit, rezultatet pozitive në shtetin e së drejtës, përfaqësojnë një vlerë pozitive. Kjo është një mundësi historike për Shqipërinë dhe rajonin që duhet kapur si e tillë dhe ne jemi gati të vazhdojmë dhe të ofrojmë ndihmën e nevojshme për të arritur objektivin e mbylljes së kapitujve të anëtarësimit”, tha ai.
Në lidhje me procesin e integrimit, Blanár theksoi gjithashtu rëndësinë e parimit të meritës, duke bërë thirrje që çdo vend të trajtohet në përputhje me rezultatet dhe përpjekjet e tij.
“Ndarja e ekspertizës sonë në agjendën e Bashkimit Evropian synon të ndihmojë Shqipërinë që të vijojë dhe të ndjekë bisedimet e anëtarësimit në mënyrë aktive dhe dinamike. S3 është mbështetëse e anëtarësimit me të drejta të plota. Megjithatë, për kriteret e paraanëtarësimit dhe anëtarësimit, ato do të mbeten qartësisht të përcaktuara dhe të bazuara në meritë. Ne kërkojmë që parimi i meritës të jetë dhe është kyç në anëtarësimin në BE. Nuk i mbështesim idetë për zgjidhje alternative dhe të pjesshme. Jemi të bindur se konsensusi i 27 vendeve të BE-së mund të mbështetet vetëm mbi parimin e anëtarësimit me të drejta të plota”, tha ai.
Blanár njoftoi se takimi i ardhshëm me partnerët nga Ballkani Perëndimor do të mbahet më 12 maj në Bratisllavë, një mundësi sipas tij për të mbështetur objektivin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar deri në vitin 2030.
“Takimi i ardhshëm me partnerët nga Ballkanit Perëndimor dhe pjesëmarrjen e komisioneres Kos do të mbahet më 12 maj në Bratisllavë. E shohim këtë si një mundësi tjetër për të mbështetur objektivin e Tiranës për të plotësuar synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar deri në 2030”, tha ai.
Vizita e tre ministrave të Jashtëm u zhvillua në kuadër të formatit Slavkov (S3), një platformë bashkëpunimi politik ndërqeveritar midis Sllovakisë, Austrisë dhe Republikës Çeke, e krijuar zyrtarisht në vitin 2015.
Në fokus të takimit, ndër të tjera, ishin procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.

