Fati politik i Spiropalit, Hasimja: Përplasja me Ramën e çon drejt një rruge pa kthim
Qëndrimet kritike të Elisa Spiropalit në rrjetet sociale, të cilat interpretohen gjerësisht si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Edi Rama, e kanë vendosur atë në një trajektore që duket se e çon pashmangshmërisht jashtë Partisë Socialiste.
Politologu Ermal Hasimja i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, i konsideroi kritikat e saj të guximshme dhe që sinjalizojnë një çarje të thellë që vështirë se mund të riparohet.
Situata aktuale përshkruhet nga Hasimja si një "spirale agravuese", ku asnjëra palë nuk mund ta pranojë status-quonë. Kjo përplasje ka vënë në pikëpyetje jo vetëm të ardhmen politike të Spiropalit, por edhe autoritetin e vetë kryeministrit Rama brenda partisë, i cili cilësohet si "pezull" në raport me këtë çështje.
Hasimja thekson se dy janë skenarët kryesorë që analizohen lidhur me motivet e Spiropalit. Dhe pyetja që shtrohet është nëse ky rebelim buron nga një interes për të mirën e partisë, siç deklaron ajo vetë, apo është thjesht pasojë e një rënieje personale në hierarkinë e pushtetit socialist. Pavarësisht motivit, lëvizjet e saj të fundit shihen nga Hasimja si një rrugë pa kthim.
Në horizont shfaqen disa mundësi. Opsioni më i mundshëm është që Spiropali do të duhet të marrë një vendim përfundimtar: të largohet vetë nga partia, ose të presë të largohet prej saj. Një zhvillim i tillë mund ta shtyjë atë drejt krijimit të një poli të ri opozitar brenda së majtës, duke shërbyer si një "magnet" për të pakënaqurit e tjerë brenda Partisë Socialiste.
Alternativa tjetër, tha Hasimja, është ajo e tërheqjes së saj nga arena politike.
Ndërkohë që mbështetja publike nga figura si Erjon Braçe është e dukshme, mbetet e paqartë nëse Spiropali gëzon një mbështetje më të gjerë, por të heshtur, brenda strukturave të partisë.
E sigurt është se situata aktuale nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe priten zhvillime të reja që do të përcaktojnë fatin e saj politik dhe ekuilibrat e brendshëm në Partinë Socialiste.

