Gara në PD një farsë? Hasimja zbulon pse askush nuk guxon të sfidojë Berishën
Zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike duket se do të jenë një proces me fitues të paracaktuar. Përballë liderit historik Sali Berisha, është regjistruar në garë vetëm mjekja Mereme Sela, një emër pothuajse i panjohur për publikun dhe strukturat e partisë. Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje mbi natyrën e garës, e cila nga shumëkush konsiderohet më tepër një formalitet sesa një përballje reale demokratike.
Sipas politologut Ermal Hasimja, mungesa e një sfidanti serioz ndaj Berishës nuk është rastësi, por pasojë e peshës dhe rolit dominant që ai ka brenda Partisë Demokratike.
Në analizën e tij nw studion e lajmeve në “Ora News”, Hasimja thekson se çdo kandidat potencial serioz do të hezitonte të hynte në një garë ku humbja është pothuajse e garantuar.
“Është shumë e vështirë që për shkak të peshës dhe rolit që ka Berisha në Partinë Demokratike, dikush serioz të marrë përsipër guximin që të dalë, duke e ditur shumë mirë që me shumë gjasa do të mundet”, shprehet analisti.
Ai e përshkruan këtë fenomen si një lloj “autocensure” brenda partisë, ku figurat me peshë politike i shmangen një përballjeje të pabarabartë.
Hasimja sjell në vëmendje se gara e vetme reale në historinë e PD-së ka qenë ajo mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës. Arsyeja, sipas tij, ishte se në atë kohë asnjëri prej kandidatëve nuk kishte një dominancë absolute mbi tjetrin, çka krijoi kushtet për një konkurrencë të vërtetë.
Situata aktuale është krejtësisht e ndryshme. Berisha, si një nga bashkëthemeluesit dhe figura qendrore, shihet si pjesë e “ADN-së” së partisë. “Ajo parti është ndërtuar me Berishën që në themelet e saj. Është shumë e vështirë ta mendosh PD-në pa Berishën”, argumenton Hasimja. Kjo e bën praktikisht të pamundur që një sfidë e brendshme të ketë sukses.
Për rrjedhojë, gara aktuale me një kundërkandidate simbolike shërben më shumë për të legjitimuar rikonfirmimin e Berishës në krye të partisë, sesa për të ofruar një alternativë reale. Ky proces nxjerr në pah problemin themelor të Partisë Demokratike: konsolidimin e pushtetit rreth një figure të vetme dhe mungesën e një debati të brendshëm konkurrues.

