Macinka: Progresi i Shqipërisë drejt BE, i shpejtë dhe real

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Petr Macinka, deklaroi sot se Shqipëria po shënon progres të shpejtë dhe real në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar ritmin e hapjes së kapitujve negociues si mbresëlënës dhe dëshmi të angazhimit serioz të vendit ndaj reformave.

Në deklaratën e përbashkët për mediet të mbajtur sot në Tiranë, përkrah ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ministres Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Juraj Blanár, Macinka tha se vizita e përbashkët e tre ministrave përcjell një mesazh të qartë mbështetjeje për rrugëtimin europian të Shqipërisë.

“Ne kemi ardhur këtu për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për mua personalisht kjo vizitë ka edhe një domethënie të veçantë, pasi më kujtohet periudha kur Shqipëria dorëzoi aplikimin për anëtarësim në vitin 2009, gjatë presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.

Sipas ministrit çek, progresi i arritur deri tani nga Shqipëria përbën një bazë të fortë për fazat e ardhshme të negociatave me BE-në.

Ai nënvizoi se Shqipëria ka shënuar përparim të dukshëm në hapjen e grupkapitujve dhe ka arritur gurë kilometrikë që e kanë vendosur në pararojë në rajon për ritmin e integrimit europian.

“Shpejtësia e hapjes së kapitujve në 12 muaj është e shkëlqyer është mbresëlënëse dhe tregon se Shqipëria është e angazhuar seriozisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Macinka.

Më tej, ai theksoi se procesi i anëtarësimit në BE po hyn në një fazë më kërkuese, por shtoi se Shqipëria ka kapacitetet dhe vullnetin për të vijuar përpara.

“Jemi të bindur se Shqipëria ka si kapacitetin, ashtu edhe angazhimin për të ecur përpara. Përparimi i deritanishëm ofron një bazë të fortë për fazën e ardhshme të procesit”, deklaroi ai.

Macinka u ndal gjithashtu te situata në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si të rëndësishëm për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e Europës.

Ai theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian dhe se perspektiva e tyre europiane duhet të mbetet e besueshme dhe e bazuar në meritë.

“Ballkani Perëndimor ka rëndësi për stabilitetin, sigurinë dhe mbrojtjen e të ardhmen e Europës. Ne ndajmë një perspektivë të qartë për faktin se të gjitha vendet e BP-së i përkasin BE-së. Dhe shpresojmë që do të jenë në gjendje të jenë anëtarë të BE-së sa më shpejt të jetë e mundur. Ka ende sfida në rajon, por përgjigjja ndaj tyre duhet të jetë promovimi i dialogut, forcimi i bashkëpunimit dhe mbajtja e një procesi të besueshëm anëtarësimi bazuar në meritë dhe mbështetur nga e ardhmja”, u shpreh ministri Macinka.

Sipas tij, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm si partnere e besueshme dhe kontribuese në dialogun rajonal dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Vizita e tre ministrave të Jashtëm në Tiranë u zhvillua në kuadër të formatit Slavkov (S3), një platformë bashkëpunimi politik ndërqeveritar midis Sllovakisë, Austrisë dhe Republikës Çeke, e krijuar zyrtarisht në vitin 2015.

Në fokus të takimeve ishin procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe perspektiva europiane e rajonit.