Ankesat pas shkarkimit, Malësia: Kjo “betejë” e Spiropalit është më shumë personale se sa parimore

Një postim publik i ish-ministres Elisa Spiropali ka trazuar ujërat brenda Partisë Socialiste, duke u interpretuar si një sfidë e hapur ndaj lidershipit pas një mbledhjeje të tensionuar të asamblesë së partisë.

I ftuar në studion e emisionit “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama, gazetari dhe moderatori Xhoi Malësia citoi burime nga brenda kampit socialist theksa tha se kritikat e saj vijnë pas një paralajmërimi të drejtpërdrejtë për përjashtim nga grupi parlamentar, çka e shtyu Spiropalin ta çojë debatin në arenën publike, duke sfiduar hapur: “Më përjashtoni nëse gjërat që them nuk qëndrojnë”.

Malësia tha se në qendër të kritikave të saj qëndrojnë fenomene si “drejtorokracia” dhe problemet me korrupsionin, të dëshmuara sipas saj edhe nga hetimet e SPAK.

Duke përdorur një gjuhë më të ashpër se në daljet e mëparshme, Spiropali artikulon nevojën për më shumë debat dhe demokraci të brendshme, një thirrje e rrallë në një parti ku votat kundër apo zërat disidentë kanë munguar historikisht.

Ky veprim ka ndezur një debat mbi motivet e ish-ministres. Nga njëra anë, lëvizja e saj shihet nga Malësia si një përpjekje e sinqertë për të hapur një diskutim të domosdoshëm, por të vonuar, për problemet që prekin mazhorancën.

Nga ana tjetër, Malësia tha se kjo “betejë” është më shumë personale sesa parimore, e nxitur nga largimi i saj nga posti qeveritar. Sipas këtij këndvështrimi, Spiropali po përdor kauzën e reformës së brendshme për të luftuar për mbijetesën e saj politike në një moment të vështirë të karrierës.

E ardhmja e kësaj sfide mbetet e paqartë dhe ngre pyetje thelbësore. A do të mbetet Spiropali një zë i izoluar, apo do të arrijë të mbledhë rreth vetes mbështetjen e deputetëve të tjerë të pakënaqur? Historia e afërt e Partisë Socialiste, tha gazetari më tej, ofron një precedent paralajmërues: atë të ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Edhe ai përdori një retorikë të ngjashme kritike pas shkarkimit të tij, por gradualisht u shua nga skena politike, duke u bërë praktikisht inekzistent brenda strukturave të partisë”.

Fati i Elisa Spiropalit, tha Malësia, do të varet nga pesha e saj reale politike dhe nga aftësia për të transformuar një betejë personale në një lëvizje më të gjerë. Sipas tij, prania e zërave të tjerë kritikë, si ai i Erion Braçes, sugjeron se pakënaqësia mund të jetë më e thellë. Megjithatë, pyetja kryesore mbetet nëse kjo do të shënojë lindjen e një fryme të re opozitare brenda mazhorancës, apo thjesht një tjetër episod të një ish-zyrtari të lartë që shuhet pas përplasjes me pushtetin.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN “DREJT” NË “ORA NEWS”